Shpargu, një produkt bujqësor me vlerë që po kultivohet në Kosovë
Prishtinë, 13 maj - Shpargu (asparagusi) është një produkt bujqësor që po kultivohet edhe në Kosovë në dy vitet e fundit. Ky produkt, që përdoret shumë në kuzhinë, vlerësohet mjaftë i shëndetshëm.
Kultivimi i shpargut në Kosovë ka nisur falë një partneriteti mes Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe USAID-it në Kosovë.
Të dy këto institucione, në bashkëpunim edhe me Ambasadën Amerikane në Prishtinë sot kanë promovuar këtë produkt në sheshin Nena Terezë në Prishtinë. Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracey Jacobson dhe fermerë e përfaqësues të institucioneve të ndryshme.
Për të demonstruar edhe përdorimin e shpargut në kuzhinë, para të pranishmëve ka përgatitur një pjatë një nga kuzhinierët me të mirë në Amerikë, Kevin Sbraga i cili po qëndron në Kosovë si pjesë e një projekti të ambasadës amerikane për diplomaci kulinare.
Ministri Krasniqi tha se partneriteti mes USAID dhe MBPZHR-së ka sjellë zhvillim të madh në sektorin e bujqësisë. Ai u shpreh i lumtur që ky bashkëpunim po thellohet në vazhdimësi.
Shpargu është një nga kulturat e reja bujqësore në Kosovë, por që me partneritetin mes MPBZHR-së dhe USAID është bërë pjesë e traditës së kultivimit dhe është bërë pjesë e kuzhinave tona. Deri me tani në Kosovë kemi rreth 11 hektarë me shpargull dhe edhe 16 hektarë tjerë do të kenë produktin në dy vitet e ardhshme dhe kështu do të kemi mundësi edhe për eksport, tha ministri Krasniqi.
Ai ka falënderuar ambasadën amerikane për fokusin e veçantë që i ka dhënë bujqësisë si një nga sektorët me më potencial në Kosovë. Bashkë edhe me programin e MBPZHR-së për zhvillim rural, tha ministri Krasniqi ky sektor po zhvillohet.
Me rritjen e këtij sektori, vendi ynë po e rritë prodhimin vendor, po ka zhvillim ekonomik, dhe padyshim rritje të punësimit, tha ministri Krasniqi.
Nga ana tjetër, ambasadorja Jacobson vlerësoi lartë bashkëpunimin mes USAID dhe MBPZHR-së. Ajo shtoi se përmes këtij sektori Kosova po bën hapa të rëndësishëm në zhvillim ekonomik. Jacobson tha se kultivimi i kulturave të reja bujqësore dhe zhvillimi i tyre do të vazhdojë të mbështetet nga qeveria amerikane.
Para tri vitesh kur kam ardhur këtu shpargu është importuar dhe ka qenë jo i mirë dhe i shtrenjtë. Ne partneritet me Ministrinë e Bujqësisë tash kemi prodhim vendor e që është edhe më i mirë e më lirë. Ne duam ta shohim Kosovën të zhvilluar në bujqësi që të rritet prodhimi, te rritet eksporti dhe të hapen vende të reja pune, tha ajo.
MPZHR-ja ka bashkëpunuar në vazhdimësi me USAID në projekte të ndryshme, siç ka qenë projekti Mundësitë e Reja në Bujqësi, ndërkaq tani pritet të lansohet projekti i ri, AGRO, me një fond prej rreth 12 milionë dollarëve.