Shiten 5,721 euro manaferrë për pesë ditë
Prishtinë, 28 korrik - Ishin të paktë në numër, por të shkathtë në shitje. Dhjetë kultivuesit e manaferrës, të cilët deri dje në mbrëmje kanë qenë pjesë e panairit Manaferra 2012, që sivjet është organizuar për herë të parë në kuadër të fushatës Për sofrën tonë, për pesë ditë kanë arritur të shesin 5,721 euro.
Në ditën përmbyllëse të këtij panairi, kultivuesit e manaferrës të cilët po merrnin pjesë nga zona të ndryshme të Kosovës u vizituan edhe nga ministri i MBPZHR-së, Blerand Stavileci, i cili theksoi nevojën për tu organizuar dhe për tu mobilizuar të gjitha palët e interesit, si në këtë rast, në mënyrë që të gjenden shtigje të reja për rritjen e prodhimit dhe rritjen e shitjes së produkteve bujqësore.
Manaferrat kanë frute të imëta, por për nga vlera ushqyese dhe rëndësia ekonomike nuk mbesin prapa llojeve të tjera të pemëve. Ne po mundohemi që tua nxjerrim në pah këto vlera, po mundohemi që ti shtojmë sipërfaqet e mbjella duke ofruar përkrahje financiare dhe ti promovojmë në këtë mënyrë para blerësve potencial, tha ministri Stavileci, duke shtuar se edhe kultivimi i manaferrës, e cila deri vonë është rritur vetëm në mënyrë të egër, ka filluar të kultivohet tani në mënyrë të organizuar.
Duke parë interesimin e fermerëve për kultivimin e pemëve të imëta, në grupin e të cilave bën pjesë edhe manaferra, ne që dy vite jemi duke ofruar përkrahje financiare edhe për këto kultura, e cila arrin deri në 2000 euro për ngritjen e sipërfaqeve të reja prej 0.10 ha 0.20 ha, shtoi Stavileci.
Ai tha se është lehtë të ankohemi për problemet, por sfida e vërtetë qëndron tek gjetja e zgjidhjeve dhe për gjetjen e zgjidhjeve të tyre duhet të mundohemi, të organizohemi dhe të mobilizohemi të gjithë.
Manaferra kultivohet kryesisht në komunën e Podujevës, në atë të Gjakovës, Kamenicës, Vitisë dhe Gjilanit. Mirëpo, viteve të fundit, me përkrahjen financiare që ka ofruar Ministria e Bujqësisë dhe donatorët e këtij sektori, janë ngritur sipërfaqe të reja me manaferrë edhe rreth 15 hektarë dhe tashmë kultivues ka edhe në disa komuna të tjera, por që dominojnë kryesisht sipërfaqet nën 0.10 hektarë.
Panairi Manaferra 2012 është organizuar nga MBPZHR-ja, USAID-i, IADK-ja dhe programi Promovimi i Hortikulturës në Kosovë, të cilin janë duke e implementuar Intercooperation dhe Riinvest.
Ky organizim ishte vazhdimësi e angazhimeve për promovimin e prodhimeve vendore në kuadër të fushatës Për sofrën tonë dhe qëllimi kryesor i tij ka qenë promovimi i manaferrës vendore përmes shitjes së drejtpërdrejtë në sheshin Nëna Terezë.