Shfrytëzimi sa më racional i tokës – thirrje për të gjithë akterët
Ngrohja globale nënkupton rritjen e temperaturës mesatare të ajrit pranë sipërfaqes së tokës, dukuri kjo e njohur nga shkencëtarët që nga vitet 1880 kur dhe u shënuan rritjet e para të temperaturës. Shkaktarët e saj janë: natyrore (aktiviteti diellor, avulli i ujit, ciklet klimatike), dhe artificiale (aktivitetet e ndryshme njerëzore që shkaktojnë rritje të përqendrimit të gazrave të dëmshëm në atmosferë). Që nga viti 1992 me Deklaratën e Rios e deri tek Marrëveshja e Parisit e vitit 2017 janë hartuar drafte të ndryshme në nivel global për zbutjen e saj.
Kosova përpunon raporte mbi këtë dukuri, ndonëse nuk është palë e Konventës Kornizë për Ndryshimin Klimatik (UNFCCC). Kërkesat e kësaj konvente janë në një linjë me politikat e BE-së, prandaj duke qenë se vendi ynë është duke iu adaptuar dhe transponuar legjislacionit të BE-së është e obliguar të raportojë mbi të.
Të dhënat mbi temperaturën e ajrit, të marra nga institutet relevante, tregojnë që në Kosovë nga viti 1900 deri më sot ka pasur lëvizje të temperaturës mesatare vjetore me tendencë rritjeje. Kështu temperatura mesatare vjetore për periudhën 1990-2002 ishte 9°C ndërsa për periudhën 2003-2019 mbi 10°C. Një ndryshim i tillë por, me tendencë të uljes kanë dhe reshjet në Kosovë. Kështu sasia mesatare vjetore e reshjeve për periudhën 1930-1990 ka qenë 820 mm ndërsa për periudhën 2001-2019 është regjistruar 674 mm.
Në vitin 2020-2021, AMMK ka realizuar vlerësimin e emetimeve vjetore të gazrave serrë për vitin 2019 ku rezulton me 9,613 Gg (Giga gram) CO2 ose rreth 9.6 milion ton CO2 të emetuar në atmosferë. Burimi kryesor i emetimeve të gazrave serrë është sektori i energjisë me pjesëmarrje prej 86% të totalit të emetimeve, më pas sektori i bujqësisë, pylltarisë dhe përdorimit të tokës me 8%, ai i mbeturinave me 5% dhe në fund sektori i proceseve ndustriale dhe transportit me 1%.
Vendi ynë nuk është prodhues i substancave ozonholluese por, importues i saj veçmas llojit të lubrifikantëve dhe parafinës.
Krahasuar me shtetet tjera në Evropë, Kosova ka emetime më të ulëta (5.5 t CO2 ekuivalent për kokë banorë gjatë vitit 2015), se sa mesatarja e Bashkimit Evropian, por ka emetime më të larta se nga disa vende të rajonit. Ndërsa sa i përket emetimeve të CO2 për njësi të BPV (Bruto Prodhimi Vendor), Kosova me 0,5 kg CO2 ka emetime më të larta se mesatarja e Bashkimit Evropian dhe më të larta se sa vendet tjera të regjionit përjashtuar Bosnje dhe Hercegovinën.
Gazrat kryesore të emetuara janë CO2, metani me më shumë se 10% të emetimeve totale, ndërsa N2O dhe HFC me më shumë se 1% të emetimeve.
Një nga veprimet më të rëndësishme që mund të ndërmarrim për parandalimin e ngrohjes globale është shfrytëzimi racional i tokës. Pyjet dhe ekosistemet e tjera janë rezerva kryesore të karbonit. Pyjet mund të themi se janë të vetmet që bëjnë reduktimin (akumulimin) e emetimeve te CO2 me rreth -39 Gg CO2 vetëm në vitin 2019 në Kosovë.
Ndryshimet klimatike kërcënojnë fuqishëm biodiversitetin. Madje ndikojnë edhe në mënyrë të drejtpërdrejt mbi pyjet duke rritur numrin e zjarreve në pyje që nga viti 2000 e deri më sot për shkak të ekspozimit ndaj thatësirave. Prerjet ilegale të pyjeve për qëllime komerciale, kthimi i tokave pyjore në ato bujqësore përmes zjarreve, devijimi i zjarreve në kampe për qëllime relaksimi janë gjithashtu kontribuues në ngrohjen globale. Hulumtimet e reja bazuar në imazhe satelitore tregojnë se gjatë dy dekadave të fundit Kosova ka humbur 7,618 ha pyje. Vetëm në vitin 2021 rreth 2,653 ha pyje dhe toka pyjore janë dëmtuar si pasojë e zjarreve. Mbi 90% e prerjeve të drurëve në pyje janë prerje të parregullta. Kostoja e degradimit të pyjeve për çdo vit llogaritet të jetë mbi 16 milion €.
Të gjitha dukuritë e mësipërme ndikojnë në vlerën më të lartë që ka njerëzimi - shëndetin.
Në Kosovë nuk ka studime të mirëfillta bazuar në tregues që vlerësojnë ndikimin real të gjendjes së mjedisit në shëndetin publik. Numri i sëmundjeve ambientale të regjistruara vazhdon të ketë një trend linearë në Kosovë. Në disa raste janë regjistruar edhe ngritje të ndjeshme. Gjatë vitit 2020, duhet të veçohet numri i madh i të sëmurëve me COVID-19.
Sipas të dhënave statistikore në Kosovë, konstatohet se numri më i madh i vdekjeve, sa i përket shkaqeve që ndërlidhen me mjedisin janë ato nga sëmundjet e sistemit të qarkullimit të gjakut, tumoret dhe nga sëmundjet e sistemit të frymëmarrjes. Ndotja e ajrit llogaritet që shkakton mbi 800 vdekje të parakohshme, mbi 300 raste të reja me bronkit kronik, mbi 600 raste shtrirje në spital dhe mbi 11,000 vizita emergjente në çdo vit. Një kosto e përafërt në lidhje me dëmet shëndetësore llogaritet nga 37 milion € deri 158 milion € për çdo vit. Temperaturat e nxehta rrisin përqendrimin e ozonit, gjë që mund të i dëmtojë indet e mushkërive të njerëzve dhe të shkaktojë komplikime tek pacientët me astmë dhe ata me sëmundje të mushkërive.
Ngrohja globale padyshim duhet të shqyrtohet në mënyrë koncize nga të gjithë sektorët shkaktarë të saj. Duke marrë parasysh se totali i emetimeve varet shumë nga sasia e energjisë së prodhuar nga thëngjilli, përdorimi i burimeve të ripërtëritshme të energjisë do të ishte opsioni më i mirë për vendin.
Për sa i përket sektorit të transportit, promovimi i transportit të qëndrueshëm me më pak trafik motorik (çiklizmi, transporti publik) do të ishte një nga zgjidhjet optimale.
Forcimi i institucioneve mjedisore për monitorim të çdo nën-sektori mjedisor, ngritja e kapaciteteve të sektorit mjedisor në komuna, funksionalizimi i duhur i Ekofondit, ngritja e cilësisë së ujit mund të konsiderohem si veprime madhore në drejtim të shëndetit dhe në përmirësim të ngrohjes globale.
Ndërsa në sektorin e pylltarisë rritja e bashkëpunimit ndërmjet Agjencisë së Pyjeve të Kosovës dhe Autoriteteve Komunale në menaxhim të qëndrueshëm të pyjeve, zbatimi i ligjit nga institucionet përgjegjëse të drejtësisë, mund të jenë hapa madhorë në zbutjen e ndryshimeve klimatike dhe sigurisht do të ndikonte pozitivisht edhe mbi shëndetin e njeriut.