22 Dhjetor 2024

Shënohet Dita Ndërkombëtare e Ushqimit

Prishtinë, 16 tetor - Në mesin e rreth 150 vendeve të botës, edhe Kosova sivjet e ka shënuar Ditën Ndërkombëtare të Ushqimit, e cila përkon me përvjetorin e themelimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë.

Me rastin e shënimit të kësaj dite, ministri i MBPZHR-së, Blerand Stavileci bashkë me kryeshefin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, Valdet Gjinovci, kanë vizituar fabrikën e përpunimit të mishit “Feti”, në fshatin Gushtericë të Ulët të komunës së Graçanicës, ku u tha se investimet që janë duke u bërë në sektorin e bujqësisë, janë duke shtuar prodhimtarinë e shumë kulturave bujqësore.

Ministri Stavileci, bëri të ditur se duke filluar nga viti i ardhshëm, do të fillojnë përkrahjen e drejtpërdrejtë edhe për sektorin e mishit.

“Deri më tash kemi përkrahur vetëm prodhimtarinë e qumështit, që ndërlidhet me këtë sektor, por duke filluar nga viti i ardhshëm do të përkrahim edhe industrinë prodhuese dhe përpunuese të mishit dhe kjo besoj se do të jetë një mundësi e re për të gjithë prodhuesit e këtij sektori.\"

\"Në të njëjtën kohë, përmes kësaj përkrahje ne synojmë që të bëjmë edhe zëvendësimin e produkteve të importit me produkte vendore dhe besoj se edhe industria e mishit, në të cilën qëndrojmë më keq me prodhimtari, dalëngadalë do ta marr veten”, tha ministri Stavileci.

Ai tregoi se përmes investimeve që janë bërë në sektorin e bujqësisë, është arritur që në masë të madhe të plotësohen nevojat konsumuese me shumë kultura bujqësore.

“Investimet e bëra kanë mundësuar që vendi ynë me qumësht të freskët t’i plotësoj rreth 70 për qind të nevojave konsumuese, me prodhimtarinë e vezëve mbi 80 për qind, ndërsa sa i takon prodhimtarisë së mishit vetëm rreth 30 për qind dhe për këtë arsye kemi vendosur që të përkrahim këtë industri, duke synuar që me këto prodhime në të ardhmen t’i plotësojmë së paku 60 për qind të nevojave konsumuese”, tha ministri Stavileci.

Valdet Gjinovci, kryeshef i AUV-ut, tha se industria e mishit “Feti” është njëra nga fabrikat, e cila është vlerësuar dhe kategorizuar në kategorinë e parë, që premton cilësi, premton siguri dhe mbi të gjitha është një fabrikë e cila, dita ditës, është duke përmirësuar dhe avancuar prodhimin.

Ndërsa, Ermira Shehu, menaxhere e prodhimit në industrinë e mishit “Feti”, ka premtuar për konsumatorët se, përveç produkteve që kanë tani, shumë shpejtë do të ofrojnë edhe produkte të reja, të cilat do të jenë janë unike.

Ministri Stavileci, gjatë po kësaj dite mori pjesë edhe në debatin publik me temën “Pse të brengosemi?” në kampusin e kolegjit “Universum”, ku tha se arsyeja pse bujqësia konsiderohet një prej sektorëve më të rëndësishëm në botë është raporti i zhdrejtë ose disproporcioni i potencialeve të saj për sigurimin e ushqimit me rritjen e vazhdueshme të numrit të popullsisë dhe zvogëlimin e sipërfaqeve të tokës së punueshme.

“Sipas të dhënave të FAO-s, në vitin 2050, në botë popullsia do të arrijë në rreth 9 miliard banorë dhe projeksionet e fundit tregojnë se prodhimtaria globale e ushqimit duhet të rritet në rreth 70% deri në vitin 2050, në mënyrë që të sigurohet ushqim edhe për 2.3 miliard popullatë shtesë” tha Stavileci, duke shtuar se, kjo mund të arrihet vetëm nëpërmjet zhvillimit dhe përmirësimit të varieteteve të ndryshme të kulturave bujqësore, përmirësimit të përdorimit të inputeve, përvetësimit të praktikave të mira të punës, si dhe përmes inovacioneve dhe hulumtimeve të ndryshme në bujqësi.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)