Shënohet dita e mollës
Prishtinë, 23 shtator - Kultivuesit e mollës në rajonin e Dukagjinit, të cilët tashmë kanë filluar vjeljen e këtij fruti, shumë shpejt do ta kenë edhe qendrën grumbulluese për ruajtjen e frutave të tyre.
Përmes kësaj qendre, politikave të favorshme fiskale dhe përkrahjes financiare për sektorin e hortikulturës, këta kultivues po arrijnë që në tregun vendor të jenë edhe më konkurrues me prodhimet e tyre.
E me rastin e Ditës së Mollës, e cila u shënua sot në fshatin Kovragë të komunës së Istogut, përfaqësues të institucioneve vendore kanë premtuar mbështetje të mëtutjeshme për kultivuesit e mollës dhe pemëve të tjera.
Me këtë rast, ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci, tha se përmes kushteve, të cilat po i krijojnë për prodhuesit vendorë dhe përmes granteve që po i japin për këta prodhues, po arrijnë që të rrisin prodhimtarinë bujqësore dhe cilësinë e saj.
Përmes përkrahjes së projekteve në sektorin e pemëtarisë, tashmë kemi arritur që të lehtësojmë punën e fermerëve të kësaj ane, duke iu mundësuar atyre edhe rritjen e sipërfaqeve të mbjella me mollë. Po ashtu, për këtë zonë i kemi edhe dy projekte tjera sivjet, atë për ndërtimin e qendrës grumbulluese dhe aplikimin e normës së sheshtë për produktet primare bujqësore, që ka filluar së zbatuari para pak ditësh, projekte këto që kanë qenë edhe kërkesë e mëhershme e fermerëve të kësaj ane, tha ministri Stavileci.
Mbështetje prodhuesve të kësaj ane u premtoi edhe kryetari i komunës së Istogut, Haki Rugova, i cili theksoi se ky rajon ka resurse të mjaftueshme për zhvillimin e veprimtarive në sektorin e hortikulturës. Përmes përkrahjes komunale dhe angazhimit të vazhdueshëm të Ministrisë së Bujqësisë dhe donatorëve tjerë, fermerët e këtij rajoni e kanë shtuar interesimin për këtë sektor dhe kanë shtuar edhe sipërfaqet e mbjella me mollë dhe pemë të tjera, tha kryetari Rugova.
Në anën tjetër, kryetari i Shoqatës Pema, Safet Blakaj, vlerësoi se projektet e ndryshme të cilat janë realizuar deri më tash dhe që priten të realizohen nga institucionet vendore, po i ndihmojnë kultivuesit e mollës që ti plasojnë edhe më lehtë prodhimet e tyre në treg.
Ndryshe, gjatë këtij manifestimi, janë zgjedhur edhe fermerët më të dalluar në sektorin e pemëtarisë për këtë rajon, ku pemëtari më i mirë i vitit është zgjedhur Kosovë Blakaj nga fshati Kovragë i Istogut. Ndërsa, fermerët më të dalluar për mirëmbajtjen e pemishteve të tyre janë zgjedhur Emrush Blakaj, Qazim Blakaj, Ruzhdi dhe Ylber Blakaj nga po i njëjti fshati.
Gjithashtu, ministri Stavileci, sot ka marrë pjesë edhe në shpërndarjen e certifikatave për trajnimin e parë të teknikëve të laboratorit teknologëve të ushqimit të kompanive private dhe të AUV-it, në laboratorin TrePharm në fshatin Sllatinë të Fushë Kosovës.