SHBA miraton projekt-ligjin mbi subvencionet bujqësore
Washington, 6 shkurt - Senati amerikan ka miratuar ligjin mbi subvencionet bujqësore që shkurton ndihmat ushqimore për të varfërit, por ndihmon fermerët në vështirësi.
Senatorët dje e miratuan projekt-ligjin me 68 vota pro dhe 32 kundër, një javë pasi Dhoma e Përfaqësuesve e miratoi atë. Projekt-ligji tani shkon në Shtëpinë e Bardhë për tu nënshkruar nga presidenti Barak Obama.
Presidenti Obama thotë se projekt-ligji, edhe pse nuk është i përsosur, përmban një larmi reformash që do të bëjnë një ndryshim pozitiv për vendin.
Ligjvënësit kanë debatuar për shumë muaj mbi këtë projekt-ligj pothuaj 1 trilionë dollarësh. Demokratët liberalë kundërshtojnë shkurtimin e ndihmave ushqimore për amerikanët e varfër. Ndërsa republikanët konservatorë kërkojnë shkurtime më të mëdha.
Projekt-ligji gjithashtu i jep fund pagesave të drejtpërdrejta për fermerët edhe nëse ata nuk kultivojnë asgjë ose fitojnë në kohën kur rriten çmimet.
Subvencionet janë zëvendësuar nga një program i sigurimit të të mbjellave për të ndihmuar fermerët që të përballojnë humbjet gjatë thatësirave ose periudhave të uljes së çmimeve.