Sezoni zbut çmimet në Shqipëri
Tiranë, 9 qershor - Produktet bujqësore të sezonit në Shqipëri kanë zbutur tendencën e rritjes së çmimeve, duke reflektuar një inflacion më të maturuar, por në rritje në raport me muajin prill.
INSTAT publikoi çmimet e konsumit për muajin maj, të cilat shënuan një ulje prej 0.8 për qind krahasuar me muajin e mëparshëm.
Ndryshimi vjetor i IÇK-së (inflacioni) është 1.9 për qind, kurse një vit më parë ky ndryshim ishte 4.2 për qind.
Krahasuar me muajin e mëparshëm, indeksi i grupit ushqime dhe pije joalkoolike shënoi një ulje prej 1.8 për qind. Brenda këtij grupi, ulja më e madhe prej 16.2 për qind vërehet në nëngrupin zarzavate
përfshirë patatet, sikurse ulje çmimesh vërehen edhe në disa nëngrupe të tjera të këtij grupi, sidomos te peshku me 1.1 për qind dhe te nëngrupi qumësht, djathë dhe vezë me 0.9 për qind.
Ndryshe nga perimet, frutat pësuan rritje me 6.7 për qind, kurse grupi i ushqimeve vajra dhe yndyra me 0.7 për qind. Ulje të çmimeve vërehet edhe te karburantet.
Sipas INSTAT, indeksi i grupit transporti ka shënuar një ulje prej 0.6 për qind. Gjatë muajit maj, çmimi i naftës shënoi një ulje prej 2.1 për qind dhe çmimi i benzinës një ulje prej 1.8 për qind.