Serbët e Kosovës u shesin toka shqiptarëve
Prishtinë, 15 gusht - Sipas të dhënave të Ministrisë serbe të Bujqësisë, vetëm gjatë këtij viti në emër të subvencioneve janë derdhur nga Serbia në Kosovë rreth 600.000 euro për 3.408 toka bujqësore, të cilat janë edhe më të regjistruara në kadastrat serbe edhe pse në ato të Kosovës kanë evidentuar si pronarë persona të tjerë.
Serbët në Kosovë gjithnjë e më shumë po u shesin toka shqiptarëve, por edhe më tej marrin subvencione nga shteti për punimin e këtyre tokave, ka mësuar e përditshmja beogradase Blic.
Një ngatërrin të tillë e ka shkaktuar kadastra e dyfishtë, pasi shqiptarët i evidentojnë në regjistrat e vet parcelat e blera, ndërsa ato figurojnë edhe në kadastrën serbe, madje në emër të pronarit të mëparshëm, transmeton Koha Ditore.
Derisa të dhënat e kadastrave të mos harmonizohen, askush nuk e di se sa ka të tillë që kanë shitur toka, por që edhe më tutje e shfrytëzojne ndihmën shtetërore në Serbi. Sipas një burimi të gazetës, më së shumti mashtrime të kësaj natyre ka pasur në Llapnasellë dhe në Çagllavicë.
Ka pasur shitje të madhe tokash përgjatë autostradës ndërmjet Prishtinës dhe Ferizajt. Ky territor është i përshtatshëm për shndërrim të tokave bujqësore në ato ndërtimore, ka bërë të ditur burimi i Blicit.