Se shpejti nis pilot-projekti i Regjistrimit të Bujqësisë
Prishtinë, 31 tetor - Agjencia e Statistikave të Kosovës bashkë me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural do të fillojnë me Pilot-projektin e Regjistrimit të Bujqësisë në Kosovë.
Duke ditur që Regjistrimi i Bujqësisë do të sigurojë informata mbi prodhuesit/ekonomitë bujqësore në Kosovë, që merren me veprimtari bujqësore, si aktivitet të tyre kryesor ose dytësor, Pilot-projekti (Regjistrimi Testues) ka për qëllim ta testojë Metodologjinë, që do të aplikohet gjatë nëntorit të vitit 2013, kur edhe do të fillojë Regjistrimi i Bujqësisë.
Ndërkaq, ky Pilot-projekt i Regjistrimit të Bujqësisë mbulon të gjitha komunat e Republikës së Kosovës dhe do ti përdorë metodat, duke u bazuar në mostrat, ku dhe janë përzgjedhur ekonomitë familjare.
Në çdo komunë janë përzgjedhur dy qarqe regjistruese në zonat rurale dhe një në zonat urbane. Ndërkohë që, brenda qarkut regjistrues të përzgjedhur në zonat rurale, çdo e treta ekonomi familjare është përzgjedhur si mostër.
Me Regjistrimin e Bujqësisë, ASK-ja ofron të dhëna të besueshme statistikore të nevojshme për planifikim dhe realizim të politikave bujqësore dhe politikave të tjera, si dhe për kërkime shkencore. Po ashtu, Regjistrimi i Bujqësisë themelon bazën e të dhënave me ekonomi bujqësore dhe regjistrin statistikor të fermave. Kjo do të mundësojë zhvillimin e sistemit statistikor bujqësor në Kosovë në pajtueshmëri me legjislacionin e BE-së.
Regjistrimi i Bujqësisë ofron të dhëna për strukturën e ekonomive bujqësore brenda territorit të Republikës së Kosovës, të harmonizuara me standardet e BE-së dhe rekomandimet ndërkombëtare. Një regjistrim i tillë nuk është bërë në Kosovë që nga viti 1960.
Informacioni i mbledhur gjatë Regjistrimit është konfidencial dhe i mbrojtur me Ligj. Në përputhje me dispozitat e Ligjit për Statistikat Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Regjistrimi i Bujqësisë ruan fshehtësinë e plotë të të dhënave individuale të ekonomive bujqësore.
Pilot projekti (Regjistrimi Testues) do të kryhet nga data 1-15 nëntor 2012.
Regjistrimi i Bujqësisë mundësohet me ndihmën e donatorëve, përmes të cilëve është mbledhur në Fond buxhetor, i cili menaxhohet nga zyra e OKB-së për shërbime projektesh (UNOPS). Donatorët janë: Qeveria e Kosovës, Komisioni Evropian, SIDA (Suedi), DFID (Britani e Madhe), SDC (Zvicër), Luksemburgu dhe Danimarka.