Rusi, hyn në fuqi ndalimi i eksportit të grurit
Moskë, 16 gusht - Në Rusi hyri sot në fuqi një masë për ndalimin e eksportit të grurit, ndërsa qeveria lufton për të kontrolluar çmimet e ushqimeve, në kushtet e thatësirës që ka pllakosur vendin - më e madhja në një shekull.
Kjo masë u bë e njohur në fillim të muajit nga kryeministri Vladimir Putin, i cili tha se prodhimi i grurit për vitin 2010 mund të ulet, deri në 60 milionë tonë, për shkak të thatësirës, zjarreve dhe nxehtësisë rekord.
Prodhimi për vitin 2009 ishte 97 milionë tonë. Rusia ka nevojë për rreth 79 milionë tonë për të mbuluar konsumin e brendshëm të grurit dhe pritet ti plotësojë nevojat me rreth 10 milionë tonë nga një fond rezervë shtetërore dhe rreth 20 milionë tonë që kishin mbetur nga viti i kaluar.
Ndalimi i eksportit i cili do të vazhdojë deri në fund të vitit, bëri që të rritet çmimi i grurit, duke kapur shifrën më të lartë në dy vjet dhe duke ngritur shqetësime lidhur me çmimin e ushqimeve në Evropë dhe në Lindjen e Mesme.