Rritet prodhimtaria dhe cilësia e patates
Krahas kësaj, në mesin e shumë kulturave tjera edhe patatja ka gjetur mbështetjen e MBPZHR-së dhe sektori ku bënë pjesë patatja mbetet sektori prioritar i kësaj ministrie.
Kështu është shprehur Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, në manifestimin tradicional Dita e patates, që u mbajt sot në fshatin Pestovë të komunës së Vushtrrisë, ku kanë marrë pjesë edhe Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku, Zëvendës Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Avni Kastrati, Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Minxhozi, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, si dhe fermerë të këtij rajoni.
Ministri Memli Krasniqi, tha se patatja është njëra ndër kulturat bujqësore më të rëndësishme për Kosovën, kultivimi dhe përpunimi i së cilës ka marrë mbështetjen e kësaj ministrie në vazhdimësi.
Vetëm këtë vit, Ministria ka ndarë mbi 6 milionë euro në skemën e garantëve dhe 1 milion e gjysmë euro në skemën e subvencioneve.
Në total vetëm për sektorin e perimeve, Ministria e Bujqësisë sivjet ka ndarë mbi 7 milionë e gjysmë euro. Sektori i perimeve ku bënë pjesë edhe patatja do të mbetet ndër sektorët prioritare dhe ndër objektivat më të rëndësishme të Ministrisë së Bujqësisë edhe për vitet në vijim dhe mbështetja për këtë sektor dhe për fermerët e këtij sektori vetëm sa do të rritet në vitet në vijim, tha Krasniqi.
Në anën tjetër, Kryetari Mulaku, tha se në këtë komunë janë rreth 7 mijë hektarë tokë në mundësi të sistemit të ujitjes dhe në këto hapësira ai tha se janë kushtet optimale për kultivimin e patates.
Sipas tij, këtë vit kanë qenë të mbjella rreth 1 mijë e 500 hektarë me patate në Komunën e Vushtrrisë.
Fermerët tanë janë modest dhe thonë se diku rreth 30 tonë patate për hektar ka prodhim në këtë vit, por unë e di që ka edhe shumë më tepër, dhe këtë vit cilësia e patates është shumë më e mirë se viteve të tjera, tha Mulaku.
Zëvendësministri i Tregtisë, Avni Kastrati tha se po punohet që të ketë lehtësime sa më të mëdha për të zhvilluar bizneset vendore. Ndër tjera ai përmendi krijimin e Fondit Kosovar për Garantimin e Kredive, e i cili, tha Kastrati, do të krijojë edhe më shumë ndihmesa për agrobizneset.
Ambasadori Minxhozi tha se bujqësia është njëri ndër sektorët në të cilin duhet të rritet bashkëpunimi edhe më shumë në mes Shqipërisë e Kosovës, duke e veçuar bashkëpunimin ekzistues në tregtimin e patates.
Sipërfaqet e mbjella me patate sivjet kanë shënuar rritje, ndërsa rendimentet e pritshme janë më të mëdha se në vitet e kaluara.