Rritet përkrahja për kultivuesit në serra
Prishtinë, 6 mars - Perimtarët, edhe sivjet ashtu si viteve të kaluara do të gjejnë mbështetjen e Ministrisë së Bujqësisë. Për zgjerimin e kapaciteteve të tyre në sektorin e perimtarisë, ata do të mbështeten përmes granteve investive, të cilat po iu krijojnë mundësi atyre që nga viti në vit të rrisin edhe prodhimtarinë e tyre bujqësore.
Se kjo përkrahje është e domosdoshme, tregojnë edhe vet perimtarët, të këtë mbështetje institucionale e konsiderojnë si një mundësi e mirë për të vazhduar edhe më tej punën në këtë sektor.
Naim Çeta, nga fshati Trubuhoc i Komunës së Istogut, i cili merret me kultivimin e perimkulturave të ndryshme tash e 20 vite, thotë se mbështetja e cila i është thënë nga Ministria e Bujqësisë, ka ndikuar shumë në veprimtarinë e tij bujqësore, sepse sipas tij investimet janë të pamundshme pa pasur përkrahjen e institucioneve apo organizatave të ndryshme që përkrahin këtë sektor.
Ne jemi përkrahur nga Ministria e Bujqësisë përmes granave investive në ngritjen e serrave, e cila ka ndikuar që në të rrisim edhe prodhimtarinë e perimeve që kemi kultivuar deri më tash. Por, tash kur ne mendojmë të zgjerojmë prodhimtarinë edhe me kultura të reja bujqësore, por për këtë na duhet përkrahje financiare, ka thënë ai.
Ndërkaq, ai tregon se është i kënaqur me veprimtarinë, të cilën e ushtron tash e sa vjet.
Me kultivimin e perimeve merrem ka më shumë se 20 vite, po ashtu bëjë kultivimin e fidanëve. Kjo veprimtari është mjaft profitabile dhe mbështetja e marrë ka ndikuar shumë në zgjerimin e kapaciteteve prodhuese në fermën time, tregon ai.
Ai thotë se aktualisht ka të mbjellë një sipërfaqe prej 20 ari perime në serrë, e po ashtu edhe 6 hektarë tokë punuese thotë se i ka të mbjellë me speca somborka dhe kultura të tjera.
Çeta i cili tregun kryesisht për prodhimet e tij e ka në Dukagjin, thotë se është i kënaqur edhe me shitjen e prodhimeve bujqësore. Po disa kultura që i kultivojmë janë biznes familjar, ku për ti punuar jemi të angazhuar 4 deri në 5 anëtarë të familjes varësisht prej zezone, thotë ai.
Kurse në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), kanë treguar se edhe gjatë këtij viti do të vazhdojnë ti përkrahin fermerët që merren me kultivimin e kulturave të ndryshme bujqësore në fushë të hapur dhe serra.
Adil Behramaj, zëdhënës i kësaj ministri, ka treguar per Fermaime, se në programin e sivjetmë për bujqësinë dhe zhvillimin rural, përmes granteve investive do të përkrahet prodhimtaria e perimeve në fushë të hapur dhe serra, si dhe prodhimtaria e patates.
Kultivuesit e perimeve , përfshirë edhe ata të patateve, do të përkrahen në investimet e tyre për ndërtimin, riparimin, si dhe modernizimin e serrave të përhershme për perimtari apo fidanishte me madhësi minimale prej 0.10 hektarë, në investimet për pajisje efikase për energji ose prodhim të energjisë në fermë nga burimet e ripërtërishme, në investimet për vendosjen ose avancimin e sistemeve të ujitjes në fermë sipas praktikave efikase të ujitjes, në investimet në makineri bujqësore dhe pajisje për mbrojtje të bimëve, plehërim, vjelje dhe pas-vjelje, në ndërtimin e objekteve për ruajtje të prodhimit, objekteve për mbajtje të makinerisë bujqësore, si dhe depove për produktet për mbrojtje të bimëve dhe plehrat artificiale, ka thënë Behramaj.