23 Dhjetor 2024

Rriten subvencionet në sektorin e bujqësisë

Prishtinë, 7 prill – Për blegtorët, qumështarët, bletarët, vreshtarët dhe perimtarët, sivjet Ministria e Bujqësisë e ka rritur përkrahjen financiare përmes pagesave direkte.

Thirrjet për aplikim për përkrahjen e këtyre sektorëve tashmë janë shpallur dhe aplikuesit do të kenë afat prej 30 ditësh për të aplikuar për t’u mbështetur me pagesa direkte për këta sektor.

Nga kjo përkrahje, kultivuesit e perimeve në fushë të hapur do të përfitojnë nga 300 euro për hektarë, vreshtarët që kanë të mbjellë vreshta nga 0.10 hektarë deri 100 hektarë do të subvencionohen në vlerë prej 1000 euro për hektarë, ndërkaq ata që kanë të mbjellë vreshta mbi 100 hektarë do të subvencionohen ne vlerë prej 300 euro për hektarë.

Ndërkaq, edhe sivjet kjo ministri do t’i mbështes qumështarët përmes pagesave direkte për qumësht sipas kategorive të cilësisë, ku për ekstra klasë përkrahja financiare do të jetë 0.06 euro për litër, për klasën e parë 0.04 euro për litër dhe për klasën e dytë 0.02 euro për litër.

Po ashtu, edhe sektori i blegtorisë do të mbështet përmes pagesave direkte, ku për lopë dhe buallica qumështore do të ketë nga 50 euro për krerë, për dele dhe dhi qumështore nga 10 euro për krerë, për dosa për riprodhim 20 euro për krerë, si dhe nga 10 euro për shoqëri bletësh.

E për të përfituar nga kjo përkrahje, aplikuesit duhet t’i plotësojnë disa kritere, për secilin sektor. Kështu që, blegtorët duhet të kenë së paku 5 krerë lopë qumështore dhe buallica qumështore ose gjithsej 5 krerë lopë qumështore dhe buallica qumështore së bashku dhe në maksimum 50 krerë në prodhimtarinë aktive të qumështit, të kenë minimum 30 krerë dhe në maksimum 500 krerë dele në prodhimtarinë aktive të qumështit, të kenë minimum 20 krerë dhe në maksimum 500 krerë dhi në prodhimtarinë aktive të qumështit, të kenë minimum 30 shoqëri bletësh dhe në maksimum 500 shoqëri bletësh, si dhe të kenë në minimum 2 krerë dosa për riprodhim.

Ndërkaq, perimtarët për të përfituar mbështetjen përmes pagesave direkte, duhet të kenë të mbjellë së paku  0.50  hektarë tokë me perime në fushë të hapur.

Ndërsa, qumështarët, krahas kritereve tjera, që janë të shpallura në thirrje për aplikim, duhet të ofrojnë dëshmi për cilësinë e qumështit të dorëzuar në qumështore të lëshuar nga laboratori i AUV-së. Po ashtu, edhe vreshtarët, duhet të dëshmojnë se kanë të mbjellë së paku  0.10  hektarë me vreshta, për të përfituar subvencione gjatë këtij viti.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)