23 Dhjetor 2024

Rriten subvencionet dhe grantet investive për fermerë

Prishtinë, 25 tetor - Prodhuesit e grurit në mbjelljet e sivjetme vjeshtore do të subvencionohen për 25 për qind më shumë se vitin e kaluar.

E përkrahja e Ministrisë së Bujqësisë përmes granteve investive, nga 50-50 për qind sa ishte viteve të kaluara, do të rritet në 70-30 për qind për sektorin prodhues dhe në 60-40 për qind për sektorin përpunues.

Ndërsa, sipas raporteve të 24 komunave për mbjelljet vjeshtore, sivjet planifikohet të ketë rritje të sipërfaqeve të mbjella për rreth 2000 hektarë, mirëpo ende mungojnë raportet e komunave më të mëdha.

Ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci, në një konferencë për media, tha se po bëhen dy vite prej kur ministria ka filluar përkrahjen me nga 100 euro për hektarët e mbjellë dhe kjo ka treguar edhe efekte pozitive, pasi që janë subvencionuar mbi 8700 fermerë në këtë nënmasë, ku në vitin e kaluar kemi pasur rritje në mbi 500 përfitues dhe rritje me mbi 6 mijë hektarë me grurë.

 “Sivjet, për fermerët që mbjellin kulturën e grurit do të ketë rritje të subvencioneve për 25 për qind më shumë se vitin e kaluar, pra pagesa prej 100 euro do të jetë 125 euro."

"Këtë rritje, në radhë të parë po e bëjmë që t’i stimulojmë dhe motivojmë ata që të vazhdojnë me këtë punë dhe në radhë të dytë, po e bëjmë si kundërpërgjigje për çmimet e inputeve bujqësore dhe derivateve, sepse ka qenë kërkesë e vet fermerëve që të subvencionohen drejtpërdrejtë ata edhe për derivatet e naftës dhe jo autokombajnerët”, tha ministri Stavileci.

Kurse, në vitin e ardhshëm, ai njoftoi se do të ketë rritje të kësaj mbështetje deri në 50 për qind dhe pas kompletimit të të dhënave, të cilat do të dalin nga regjistrimi bujqësor, Stavileci tha se do të ulen edhe kriteret dhe do të subvencionohen edhe sipërfaqet deri në një hektarë.

Gjithashtu, përkrahja përmes granteve investive, që fermerëve ju ka mbuluar 50 për qind të investimeve në projekte të zhvillimit rural, sipas ministrit Stavileci, do të rritet në kategorinë e prodhimit në 70 për qind dhe në atë të përpunimit në 60 për qind.

“Përmes granteve investive 70-30 për qind, ne për herë të parë në vitin e ardhshëm do t’i përkrahim fermerët tanë me mekanizëm bujqësor, kultivuesit e perimeve në fushë të hapur, sektorin e prodhimit dhe përpunimit të mishit, sektorin e bimëve mjekuese dhe frutave të malit."

"Pastaj, në mënyrë të veçantë do t’i përkrahim edhe zonat më pak të zhvilluara, sipërfaqet e mbjella me rrush, rregullimin e ujitjes brenda në ferma dhe, gjithashtu, pjesë e programit tonë do të jetë edhe krijimi i një linje të veçantë bashkëinvestimi me bashkatdhetarët tanë nga diaspora”, tha ministri Stavileci.

Ai tregoi se në vitet e ardhshme do të krijojnë edhe fondin për sigurimin e prodhimtarisë dhe kulturave bujqësore, ku si model do të merret fondi garantues për kreditë bujqësore.

Ndryshe, për sa i përket ndikimit të investimeve të deritanishme në sektorin e drithërave, në bazë të raportit për vlerësimin afatmesëm të Planit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, që është bërë nga projekti i binjakëzimit me BE-në, të dhënat tregojnë se kemi një rritje të konsiderueshme të sipërfaqeve të mbjella në sektorin e drithërave, nga 102 mijë hektarë sa ka pasur në vitin 2007, në rreth 160 mijë hektarë në 2011.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)