Rriten kapacitetet përpunuese të frutave dhe perimeve
Gjakovë, 26 gusht - Në fshatin Rogovë të komunës së Gjakovës është inauguruar qendra për grumbullimin dhe përpunimin e frutave dhe perimeve.
Ndërtimi i kësaj qendre është investim në formë partneriteti dhe nismën për ndërtimin e saj e ka mbështetur edhe USAID-i nëpërmjet programit për ndërmarrjet private në Kosovë.
Ministri i MBPZHR-së, Blerand Stavileci, ka theksuar se përfitues të drejtpërdrejtë të kësaj qendre do të jenë fermerët, ngase është projekt që ndërlidh në mënyrë zinxhirore prodhuesit me tregun.
Projektet e tilla janë motivim për ne dhe fermerët për zhvillimin e sektorit të bujqësisë. Ky sektor nuk mund të ketë të ardhme pa u bërë komercializimi dhe industrializimi i tij dhe kjo mund të arrihet vetëm nëpërmjet projekteve të tilla, të cilat bëjnë lidhjen zinxhirore prej prodhuesit deri tek tregu, ka pohaur ministri Stavileci, duke shtuar se, nga viti i ardhshëm do të shumëfishohet buxheti dhe do të krijohen kushte më të mira për zhvillimin e bujqësisë.
Pjesëmarrës në inaugurimin e kësaj qendre ishte edhe ministri i MZHE-së, Besim Beçaj, i cili ka deklaruar se në programin për zhvillimin ekonomik, fuqizimi i sektorit privat është synim kryesor. Ndërtimi i kapaciteteve prodhuese dhe eksportuese është njëri prej qëllimeve tona dhe me programin tonë ekonomik jemi të fokusur në fuqizimin e sektorin privat, tha ai.
Ndërtimi i kësaj qendre është bërë në formë partneriteti ndërmjet kompanisë Edona nga Zvicra dhe biznesmenit kosovar, Fitim Hoti, si dhe është mbështetur me rreth 36 mijë euro edhe nga programi për ndërmarrje private i USAID-it.