23 Dhjetor 2024

Rriten çmimet për prodhimet bujqësore

Prishtinë, 18 gusht - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka njoftuar se në tremujorin e dytë të vitit 2013, Indeksi i Çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rezultuar me rritje për 2.6 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2012.


Në publikimin e ASK-së, për tremujorin e fundit, është thënë se Indeksi i Çmimeve të prodhimeve bimore ka rritje për 19.7 për qind në tremujorin e dytë të vitit 2013 krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2012. “Indeksi total i prodhimeve bujqësore ka rritje për 11.7 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2012”, është thënë në raportin e ASK-së.
 
Publikimi përfshin të dhëna prej muajit prill deri në qershor të vitit 2013, (2005 = 100). Për të bërë krahasime dhe për të vërejtur ndryshimet janë prezantuar të dhëna për tremujorët e dytë të viteve 2005-2013.

“Ky publikim është i bazuar në grumbullimin e çmimeve të prodhimeve bujqësore vendore në Kosovë. Grumbullimi i të dhënave është bërë në treg, ferma, dhe vendet tjera ku çmimet e prodhimeve bujqësore mund të grumbullohen. Prodhimet të cilat krijojnë bazë për indeksin e çmimeve të prodhimeve bujqësore janë ndarë në dy grupe kryesore: Prodhimet bimore dhe blegtorale”, është thënë në raport.
 
Sipas raportit, në kuadër të prodhimeve bimore, çmimet janë grumbulluar për këto grupe; drithëra, bimë foragjere, perime, patate dhe pemë.

“Në prodhimet blegtorale çmimet janë grumbulluar për kafshët dhe prodhimet blegtorale. Në kuadër të blegtorisë çmimet grumbullohen për katër kategori të kafshëve; gjedhe, dele, derra dhe pula. Këto çmime janë bazuar në peshën e gjallë të kafshëve”, thuhet në raport. Po ashtu në kuadër të prodhimeve blegtorale çmimet janë grumbulluar për qumësht, vezë dhe mjaltë. Të gjitha çmimet janë llogaritur në Euro dhe njësitë matëse janë në kg, litër dhe copë”, është bërë me dije në raportin e ASK-së.
 
Çmimet dhe indekset e çmimeve në këtë publikim janë kalkuluar sipas standardeve për statistikat e çmimeve të Bashkimit Evropian. Projekti për kalkulimin e këtyre çmimeve dhe indekseve të çmimeve është realizuar brenda projektit për “Përmirësimin e statistikave agromonetare” në bashkëpunim me Statistikat Suedeze dhe me mbështetjen financiare nga Sida (Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar).
 
Çmimet janë grumbulluar në shtatë regjione: Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Prizren, Ferizaj dhe Gjilan. Çmimet janë grumbulluar çdo muaj rreth datës 15. Që nga fillimi numri i artikujve për të cilët janë grumbulluar çmimet është rritur hap pas hapi. Disa çmime nuk janë në dispozicion për tërë periudhën. Çmimet grumbullohen për 64 prodhime dhe maten çmimet të cilat i marrin fermerët për pjesën e prodhimeve të tyre që janë shitur. Peshat për kalkulimin e indekseve janë kryesisht të bazuara në Anketën e Ekonomive Familjare Bujqësore të vitit 2005, që është vit bazë për indekset (2005=100). Duhet theksuar se peshat, në vlerë ose promil, reflektojnë vetëm pjesën e prodhimeve bujqësore në Kosovë që janë shitur jashtë ekonomive familjare bujqësore. Për disa prodhime vlera e prodhimit total mund të jetë shumë më e lartë se sa reflektohet në pesha. Sipas standardeve të BE-së, indekset tremujor dhe vjetor kalkulohet nga secili shtet anëtarë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)