Rrite konsumimi i qumështit të freskët vendor
Prishtinë, 9 mars - Tash e disa muaj është lansuar edhe zyrtarisht në treg qumështi i freskët nga disa kompani prodhuese vendore dhe nga atëherë është vërejtur një rritje e madhe e konsumimit të tij.
Kjo ka ardhur edhe si rezultat i fushatës promovuese që Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural po e realizon në bashkëpunim me USAID-in dhe me shoqatat e qumështarëve.
Sipas të dhënave të fundit është rritur për 200 për qind shitja e qumështit të freskët vendor. Nga 4 mijë litra sa shiteshin në ditë para pak muajve, tani shitja shkon në 13 mijë e 500 litra në ditë nga 6 kompanitë prodhuese të tij.
Ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi, thotë se krahas investimeve që do të bëjnë në këtë sektor, nisma për promovimin e qumështit të freskët do të ndikojë në avancimin e mëtejmë të kësaj industrie, duke iu ofruar konsumatorëve vendor qumësht cilësor, një treg më të mirë për prodhuesit vendor dhe një zvogëlim të importit.
Ky trend i rritjes së konsumimit të qumështit të freskët është një lajm tejet i mirë për industrinë e qumështit dhe pikërisht një tregues se objektivi ynë që përmes kësaj politike të arrijmë të zëvendësojmë importin, por edhe njëkohësisht ti ofrojmë konsumatorit edhe një produkt vendor cilësor, ka thënë ministri Krasniqi.
Janë rreth 300 milionë litra qumësht që prodhohen në vit nga mbi 180 mijë krerë lopë qumështore.
Këtë vit, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka ndarë 10 milionë euro për sektorin e qumështit, si përmes granteve ashtu edhe për subvencioneve.
Sektori i qumështit mbetet një prej sektorëve më të mbështetur nga MBPZHR-ja që nga viti 2008, kur edhe kanë filluar programet përkrahëse.