23 Dhjetor 2024

Rreth 3 milionë euro për gratë fermere

Prishtinë, 21 nëntor - Përkrahja financiare për gratë fermere dhe interesimi i tyre për t’u marrë me veprimtari bujqësore, nga viti në vit po vjen duke u rritur.

Për këtë më së miri tregojnë edhe të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë, ku sipas tyre në dy vitet e fundit kanë përfituar 435 gra fermere subvencione dhe grante investive në vlerë prej rreth 3 milionë euro.

Këto të dhëna janë bërë të ditura nga ministri Stavileci, sot në hapjen e manifestimit “Dita e gruas fermere – 2013”, në të cilin morën pjesë rreth 200 gra fermere nga të gjitha rajonet e Kosovës.

Ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci, tha se në kuadër të programit për bujqësi dhe zhvillim rural, kanë arritur që të përkrahin shumë gra fermere dhe se kanë krijuar mundësi për avantazhimin e grave në zhvillimin e veprimtarive të tyre bujqësore. Ndërsa, rezultatet e punës dhe investimeve në këto dy vitet e fundit, sipas ministrit Stavileci, janë mjaft impresive.

“Para 3 vitesh patëm gjithsej 9 fermere përfituese me një vlerë të përgjithshme investive prej rreth 50 mijë euro. Ndërkaq, në dy vitet e fundit, kemi 435 fermere përfituese të subvencioneve dhe granteve me një vlerë totale investive prej rreth 3 milionë euro. Pra, rreth 50 herë më shumë gra përfituese dhe rreth 60 herë më shumë përkrahje financiare për to”, ka thënë Stavileci.

Ndërkaq, drejtoresha e USAID-it, Maureen Shauket, ka treguar se përmes programit “Mundësitë e reja për bujqësi”, kanë përkrahur shumë gra fermere, të cilat janë treguar mjaft të suksesshme në realizmin e projekteve të tyre.

“USAID-i bashkë me Qeverinë e Kosovës, përmes projekteve të ndryshme kanë arritur që të përkrahin shumë gra fermere, duke ndikuar kështu në rritjen e prodhimtarisë, në zhvillimin e tregjeve të reja dhe në krijimin e vendeve të reja të punës”, ka thënë Shauket.

Kurse, Alket Gradeci, anëtar i bordit menaxhues të KEP-it, që njëherësh ishte edhe sponzor i shpërblimeve të sivjetme për gratë fermere, tha se ky institucion mikrofinanciar, qysh nga fillimi i operimit në tregun kosovar e ka përkrahur sektorin e bujqësisë.

Deri më tash, sipas Gradecit, investimet e tyre në bujqësi përmes kredive bujqësore arrijnë në rreth 50 milionë euro.

“Përpos kreditimit, ne sektorin e bujqësisë e kemi përkrahur edhe përmes aktiviteteve të ndryshme dhe trajnimeve me ekspertë të bujqësisë. Kemi arritur që të përkrahim shumë fermerë në rajone të ndryshme të Kosovës”, ka thënë Gradeci.

Në anën tjetër, drejtori i Bankës Botërore në Kosovë, Jan Peter Olter, ka thënë se duhet të bëhet edhe më shumë për përforcimin e rolit të grave në bujqësi, me qëllim të përmirësimit të aftësive të tyre dhe krijimit të mundësive për tregtimin e prodhimeve bujqësore.

Ndryshe, dy fermeret më të suksesshme të vitit 2013, të cilat u shpërblyen me nga 3 mijë euro nga KEP Trust, u zgjodhën Sylbije Sahiti nga komuna e Lipjanit, e cila merret me kultivimin e pemëve dhe perimeve, si dhe Xhevrije Doroci nga komuna e Mitrovicës, e cila merret me prodhimin dhe përpunimin e produkteve bujqësore.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)