Rreth 2 milionë euro për misër, lulediell dhe kafshë të imta
Nga këto nënmasa kanë përfituar gjithsej 1237 blegtorë me 120510 krerë dele në vlerë prej 1,205.100 euro, 184 blegtorë me gjithsej 9391 krerë dhi në vlerë prej 93910 euro, 29 kultivues të lulediellit me një sipërfaqe prej 737.11 hektarë në vlerë prej 73711 euro dhe 2209 kultivues të misrit me një sipërfaqe prej 5754.59 hektarë, në vlerë prej 575.459 euro.
Zëdhënësi i kësaj ministrie, Adil Behramaj, tha se sivjet procesi i granteve investive dhe subvencioneve ka zgjatur më shumë për shkak të trefishimit të numrit të aplikuesve dhe shtimit të nënmasave të reja në programin vjetor.
Ky proces, ashtu siç përfundon në të gjitha vendet e rajonit brenda vitit, përfundon edhe tek ne, mirëpo për dallim prej tyre, ne sapo kemi krijuar strukturat e nevojshme për implementim dhe monitorim, sepse dihet që deri në këto vitet e fundit nuk është përkrahur ky sektor, ndërsa shtetet tjera përveçse kanë sisteme të avancuara implementuese dhe monitoruese, kanë edhe kapacitete institucionale shumë më të fuqishme, tha Behramaj, i cili tregoi se në proces të ekzekutimit janë edhe grantet investive për projektet e zhvillimit rural.
Të gjithë blegtorët që kanë aplikuar për të përfituar subvencione është dashur të kenë minimum 30 deri në 500 krerë dele dhe 20 deri në 500 krerë dhi, ndërsa kultivuesit e misrit dhe lulediellit për të përfituar nga nënmasa e tyre mbështetëse është dashur të kenë më së paku 1 hektarë të mbjellë me misër dhe lulediell.