23 Dhjetor 2024

Resurset pyjore, ndihmojnë zhvillimin ekonomik

Prishtinë, 23 tetor - Një funksionim dhe menaxhim më i mirë i sektorit pyjor në Kosovë, do të mundësonte përfitime më të mëdha ekonomike, sociale dhe mjedisore për shoqërinë kosovare.

Për shkak të këtyre të mirave që sjell ky sektor, institucionet vendore dhe shoqëria kosovare duhet të përkushtohen më shumë për ruajtjen dhe menaxhimin e resurseve pyjore.

Këto vlerësime u dhanë sot në konferencën ndërkombëtare për pylltari me temën “Zhvillimi i sektorit të pylltarisë në Kosovë drejt BE-së”, i organizuar nga projekti i binjakëzimit “Mbështetje e mëtejshme e menaxhimit të qëndrueshëm të pylltarisë në Kosovë”, i cili është duke u financuar nga Bashkimi Evropian.

Sekretari i Ministrisë së Bujqësisë, Kapllan Halimi, tha se për shkak të sipërfaqes së madhe pyjore që ka Kosova, secili duhet ta ndjej për obligim që të përkushtohet në ruajtjen dhe menaxhimin e pyjeve sa më profesionalisht.

“Objektiv i përgjithshëm i Qeverisë së Kosovës, duke marr për bazë rëndësinë shumëdimensionale të pyjeve, është që të ngrisim kontributin e sektorit pyjor në ekonominë kombëtare, nëpërmjet ofrimit të kornizës institucionale, rregullativave mbështetëse dhe mekanizmave të përhershëm financiar.\"

\"Në bazë të Strategjisë së Pylltarisë 2010-2020, ne kemi filluar edhe një proces të planifikimit të integruar, ku së bashku me donatorët, nëpërmjet një qasjeje shumëqëllimore, po bëjmë përpjekje të vazhdueshme që të krijojmë një sistem më të mirë për planifikimin afatmesëm dhe për rritjen e efikasitetit në sektorin e pylltarisë”, tha Halimi.

Përfundimi i procesit të delegimit të kompetencave në të gjitha komuna, sipas sekretarit të MBPZhR-së, ka bërë të domosdoshëm edhe përgatitjen e ligjit të ri për pyjet, i cili tashmë është në proces të miratimit në Kuvend dhe ka rol jetik për t’i dhënë formë legjislative këtij sektori.

Ndërsa, shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Christof Stock, theksoi se Kosova duhet të bëj përpjekje edhe më të mëdha për eliminimin e prerjeve ilegale të drurit nga zinxhiri i furnizimit.

“Rezultatet e arritura në kuadër të projektit të binjakëzimit do të mbështesin Agjencinë Pyjore të Kosovës dhe komunat në përpjekjet e tyre, që të zbatojnë një sistem të menaxhimit të qëndrueshëm në kultivimin e drurit dhe në mbrojtjen e pyjeve dhe mjedisit”, tha Stock.
 
Në anën tjetër, Felix Montecuccoli, nga Konfederata e Pronarëve Evropian të Pyjeve, tregoi se rreth 60 për qind e tokave pyjore në BE është pronë pyjore, ndërsa rreth 16 milionë familje që përkujdesën për këto sipërfaqe pyjore punësojnë afro 4 milionë njerëz në sektorin e pylltarisë.

Ndryshe, sipërfaqja pyjore në Kosovë mbulon diku rreth 42 për qind të territorit dhe këto resurse natyrore me vlera të shumta sociale dhe ekonomike, janë pasuri kombëtare që kanë potencial të madh për të kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit tonë. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)