23 Dhjetor 2024

Regjistrimi i Bujqësisë po ecen mirë

Prishtinë, 4 nëntor - Projekti i Regjistrimit të Bujqësisë në Republikën e Kosovës,  që ka filluar më 1 nëntor, është duke shkuar sipas planifikimeve të parapara dhe pritet që të përfundojë më sukës më 20 nëntor.

Zyrtarët e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), sot në një konferencë për media kanë prezantuar rrjedhat e deritashme të Regjistrimit të Bujqësisë në Republikën e Kosovës.

Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Isa Krasniqi, njoftoi se problemet e vogla teknike me të cilat jami përballur gjatë këtyre ditëve në terren, janë tejkaluar tashmë, dhe Regjistrimi i Bujqësisë është duke shkuar sipas planifikimeve.

“Në bazë të të gjitha ngjarjeve, që kanë ndodhur rreth këtij projekti deri më tani, gjithçka është duke shkuar sipas planifikimit. Njoftimet janë se është duke shkuar edhe më mirë se sa që ne kemi planifikuar, në aspektin e krahasimit me disa rreziqe, që i kemi planifikuar. Pra, nuk kemi probleme të mëdha. Përjashtim këtu kemi mospjesëmarrjen e katër komunave në veri të Kosovës, të cilat nuk janë duke marrë pjesë në Regjistrim e Bujqësisë. Ndërsa, te 34 komunat e tjera në Republikën e Kosovës, procesi i Regjistrimit të Bujqësisë, është duke shkuar jashtëzakonisht mirë”, tha kryeshefi Krasniqi.

Ai shtoi se problemet që janë hasur gjatë këtyre tri ditëve, janë të natyrës teknike, si aspekte të mungesës së formularëve dhe aspekte të ndërrimit të formularëve gjatë shpërndarjes, prej një zone në zonën tjetër.

Ndërsa, sa  i përket procesit të përgatitjes për Regjistrimin e Bujqësisë, ai theksoi se “planifikimi është bërë për të gjitha komunat, duke përfshirë dhe katër komunat në veri të vendit, të cilat tani për tani, nuk po marrin pjesë në këtë regjistrim”. Megjithatë, ai theksoi se në momentin kur ato do të jenë gati, do të përfshihen në këtë proces.

“Nuk është thënë decidivisht, që nuk marrin pjesë, për këtë arsye apo atë arsye, për të cilën ne nuk jemi të thirrur të flasim në emër të tyre. Arsyet mund t’i japin ata. Por, na është thënë se duhet me u shty ky proces. Ne kemi vazhduar në komunat e tjera,  nuk kemi mundur ta rrezikojmë projektin, me anë të pritjeve. Ndërsa, në aspektin se a do të përfshihen, ne do t’i përfshijmë në çdo moment kur këto Komisione Komunale të Regjistrimit të Bujqësisë, në katër komuna veriore të jenë gati, ne automatikisht do t’i përfshijmë në procesin e Regjistrimit të Bujqësisë gjatë kësaj periudhe, prej 1 deri më 20 nëntor”, theksoi z. Krasniqi.

Krasniqi, po ashtu u bëri thirrje qytetarëve, që t’i japin të dhënat që nevojiten për Regjistrimin e Bujqësisë, pasi ato të dhëna janë në të mirën e qytetarëve dhe politikave ekonomike zhvillimore të vendit.

Ai shpjegoi se Regjistrimi i Bujqësisë nuk ka të bëjë me tatimet ose me pronësi, pasi që është një proces krejtësisht i veçantë dhe se të gjitha të dhënat janë të mbrojtura me ligj.

“Ndërsa, në rast të hezitimit të mosdhënies së saktë të informatave, dëmtohet vetë qytetari. Pasi që, Regjistrimi i Bujqësisë është në dobi të tyre, për investimet e ardhshme në këtë shtyllë të rëndësishme të ekonomisë së vendit”, theksoi z. Krasniqi.

Sa i përket refuzimit të regjistrimit, Bajrush Qevani, menaxher i Regjistrimit të Bujqësisë, shtoi se refuzimet janë shumë të pakta dhe raste individuale.

“Janë raste shumë individuale. Jemi në ditët e para të fillimit të Regjistrimit të Bujqësisë. Ka raste që nuk e kanë kuptuar mirë qëllimin e Regjistrimit të Bujqësisë. Dhe, sipas udhëzimeve që janë, e kanë për obligim Komisionet Komunale të Regjistrimit të merren me këto raste. T’i informojnë me detajisht për qëllimin dhe dobinë që ka projekti i Regjistrimit të Bujqësisë edhe për ta si individë”, tha z. Qevani.

Ndryshe, projekti i Regjistrimittë Bujqësisë është financuar nga Qeveria e Kosovës dhe nga donatorë të ndryshëm, si Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Bashkimi për Zhvillim – Ambasada e Suedisë - SIDA, Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar  - DFID, Zyra Zvicerane për Bashkëpunim, Qeveriae Danimarkës dhe Ambasada e Dukatit të Madh të Luksemburgut. Ky fond quhet Fondi Mirëbesimit dhe menaxhohet nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Mbështetjen e Projekteve (UNOPS).

Kostoja totale e projektit është afro 4.7 milionë euro. Nga projekti i Regjistrimit të Popullsisë kanë mbetur 2.2 milionë euro. Pjesa tjetër rreth 2.5 milionë euro është siguruar nga Qeveria e Kosovës dhe nga donatorët. Kjo kosto përfshin periudhën 2012-2015.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)