23 Dhjetor 2024

Regjistrimi bujqësor “derë më derë” prej vitit 2013

Prishtinë, 7 korrik - Me regjistrimin bujqësor, i cili do të filloj në janar të vitit të ardhshëm, institucionet kosovare do t’i kenë në dispozicion të dhënat e sakta bujqësore dhe kadastrale, përmes të cilave do t’i krijojnë më lehtë politikat bujqësore.

 Të dhënat statistikore, që do të dalin nga ky regjistrim, i cili nuk është bërë që nga viti 1960, do të jenë në përputhje edhe me normat dhe standardet ndërkombëtare.

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural bashkë me Entin e Statistikave të Kosovës, tashmë i kanë filluar punët përgatitore për regjistrimin bujqësor dhe rezultatet e pritura nga implementimi i këtij projekti, i cili do të zgjas deri në vitin 2014, janë hartimi dhe botimi i një serie të plotë të të dhënave të sakta për sektorin e bujqësisë, të hartuara dhe të përpunuara në përputhje të plotë me normat dhe standardet ndërkombëtare. Ndërsa, implementimi i këtij projekti, i cili do të kushtoj rreth 4,7 milionë euro, do të financohet prej pjesës së mjeteve të mbetura në vlerë prej rreth 2.3 milionë euro nga regjistrimi i tanishëm i popullsisë dhe prej donatorëve të sektorit të bujqësisë dhe buxhetit shtesë të Qeverisë.

Nevojën për krijimin e të dhënave të sakta rreth ekonomive familjare, kohë më parë e ka ngritur si çështje edhe Komisioni Evropian në raportin e progresit. Prandaj, rezultatet e këtij regjistrimi do të jenë shumë të rëndësishme edhe për zhvillimin ekonomik, pasi do të ngrisin nivelin edhe në çështje të tjera organizative, logjistike dhe ligjore, të cilat kanë nevojë të planifikohen dhe të adresohen me kohë.

Objektivat kryesore të këtij regjistrimi, i cili do të realizohet në bazë të metodës tradicionale “derë më derë”, me anë të pyetësorëve të regjistrimit për ekonomitë bujqësore, janë grumbullimi i të dhënave të sakta bujqësore dhe shpërndarja e rezultateve të tyre, të cilat do t’i mundësojnë Qeverisë, fermerëve dhe palëve tjera me interes t’i zhvillojnë politikat gjithëpërfshirëse të sektorit të bujqësisë dhe përmes fuqizimit të këtij sektori të ndikojnë edhe në rritjen dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, për shkak që regjistrimi i fundit bujqësor është bërë para 52 vitesh, të gjitha politikat dhe strategjitë e saj deri tani i ka hartuar duke u bazuar në dy burime kryesore të të dhënave, në të dhënat nga komunat dhe në anketat e ESK-së, të cilat mblidhen me metodologji të ndryshme. Ndërsa, për analiza të ndryshme, kjo ministri i ka përdorë edhe të dhënat e doganave dhe të indikatorëve tjerë statistikor dhe social.

Projektligji për regjistrimin e bujqësisë, i cili i ka hapur rrugë implementimit të këtij projekti, është miratuar në parim këtë javë në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe përmes tij autorizohet ESK-ja për të mbledhur të dhënat në terren edhe për sektorin e bujqësisë.

Rezultatet e përkohshme të regjistrimit, Enti i Statistikave të Kosovës, sipas ligjit duhet t’i shpërndajë deri më 28 shkurt 2014. Ndërsa, ato përfundimtaret do të shpërndahen në format elektronike dhe në letër, duke filluar nga 30 shtatori 2014.

Kohëzgjatja e implementimit të projektit për regjistrimin e bujqësisë është dy vite, ndërsa projekti është në harmoni të plotë edhe me kërkesat e Komisionit Evropian.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)