Rahovecianët shpalosin projektet bujqësore para kryeministrit Haradinaj
Prishtinë, 14 tetor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti sot në takim një grup fermerësh, vreshtarësh dhe afaristësh të Rahovecit, të cilët pasi e uruan atë për zgjedhjen për kryetar qeverie, rrëfyen para kryeministrit për sfidat dhe për projektet kapitale, realizimi i të cilave do të krijonte mirëqenie për qytetarët rahovecianë.
Kryeministri Haradinaj tha se do të angazhohet që në bashkëpunim me ministrinë përkatëse, të rritet buxheti për bujqësi e vreshtari, por edhe për partnerët e sektorit përpunues, të rregullohet infrastruktura, sidomos për sa i përket ujitjes, ndërsa bujqve do t’u kompensohen dëmet e shkaktuara nga natyra.
Rahovecianët shpalosen disa nga projektet që duhet të realizohen nga dikasterët përkatëse qeveritare si: Shpallja me ligj e Rahovecit zonë e interesit të veçantë për bujqësi nga MBPZHR; Bartja e Fakultetit të Bujqësisë të Universitetit public “Hasan Prishtina” në Rahovec, rritja e kapaciteteve ujitëse nga Radoniqi, investime në sistemin e kullimit si dhe rregullimi i shtratit të Drinit të Bardhë.
Nga MMPH rahovecianët kërkojnë ngritjen e një impianti për trajtimin e ujërave të zeza në pikën më të ulët të Rahovecit; nga MTI të krijojë zonën ekonomike dhe atë turistike si dhe ndërtimi i rrugës me katër korsi Xerxë – Rahovec – Suharekë; ndërsa nga MKRS kërkohet që të ndërtohet një qendër e re për kulturë dhe aktivitete rinore.
Në takim ishte i pranishëm edhe Smajl Latifi, kandidat i AAK-së për Kryetar të Rahovecit.