Qumështarët të unifikuar protestojnë sot para qeverisë
Prishtinë, 29 shtator - Të indinjuar me mosveprimet e qeverisë për largimin e produkteve me vaj palme, qumështarët e Kosovës kanë paralajmëruar protestë para Qeverisë së Kosovës.
Kështu sot qumështarët e Kosovës do të mbajnë protestë, duke parakaluar me cisterna të qumështit nga parkingu i Pallatit të Rinisë, nëpër rrugën Garibaldi, perskaj Katedrales, tek Menza e Studentëve e deri tek Qeveria e Kosovës.
"Tek Qeveria e Kosovës do të shprehim indinjatën tonë kundrejt qetësisë ndaj vajit të palmës që përveç që po na falimenton neve si qumështarë, është duke e shkatërruar edhe shëndetin e konsumatorit", thonë qumështarët në njoftimin e tyre.
Pas protestës ata do të mbajnë një konferencë për shtyp për të shpjeguar kërkesat e tyre dhe veprimet e mëtutjeshme.
Së fundmi, fermerët e Kosovës, pikat grumbulluese dhe shumica e përpunuesve të qumështit kanë krijuar Këshillin koordinues ndërmjet shoqatave duke u unifikuar kështu në luftën kundër vajit të palmës.