Qeveria vazhdon ta lë në harresë bujqësinë
Prishtinë, 4 tetor - Bujqësia është njëri ndër sektorët që është investuar më së paku që nga pas lufta. Qeveria e tanishme për bujqësi ka ndarë vetëm 12 milion euro, që i bie as 1 për qind e buxhetit të përgjithshëm.
Nëse krahasojmë buxhetin e bujqësisë së Kosovës me vendet fqinje, është shumë i vogël. Sllovenia buxhetin për bujqësi e ka rreth 500 milion euro, Shqipëria rreth 50 milion euro, Maqedonia 125 milion euro.
Mirëpo edhe vitin e ardhshëm problem se do të rritet buxheti i bujqësisë për shkak të fillimit të autostradës që do të merr përmbi 1 miliard euro.
Ministri i Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, (MBPZHR), Blerand
Stavileci thotë se ka arritur të siguroi garnde nga Komisioni Evropian dhe USAID-i që e kanë përmirësuar situatën e bujqësisë në Kosovë. Ai thotë se duhet të vënë një sinjal më të fuqishëm që ta kemi bujqësinë më primare në mënyrë që produktet tona edhe të eksportohen.
Por si synim ka qenë që ne të kemi sa më shumë donator nga Banka Botërore, USAID, Komisioni Evropian dhe nga partnerët tjerë. Kështu që krejt këto e përmirësojnë kushtet në bujqësi. Gjithë nga ne edhe ne si institucion, po edhe fermerët tani duhet ti rrisim kapacitetet edhe në aspektin e cilësisë edhe sasisë, tha Stavileci.
Nënpresidentja e Aleancës Kosova e Re, (AKR), Mimoza Kusari-Lila tha se qeveria nuk ka planë për ta nxjerrë bujqësinë nga kolapsi. Qeveria nuk ka planë të bujqësisë dhe nëse miliardat jepen për bujqësi kur nuk ke një planë është problem.
Kusari thotë se bujqësia është mjerisht e anashkaluar dhe 30 për qind i importit që hynë në Kosovë janë produkte bujqësore. Nëse qeveria harton një planë për bujqësinë vërtet do të ketë rritje të vendeve të punës dhe stabilizim të gjendjes ekonomike. Bujqësisë duhet ti jepet më së shumti prioritet, tha ajo.
Eksperti i bujqësisë, Imer Rusinovci thotë se buxheti që e ka kjo ministri është tepër i vogël në krahasim me vendet e rajonit. Shtetet e rajonit, si Maqedonia, Serbia apo Shqipëria buxhetin për bujqësi e ndajnë nga 5 deri në 8 për qind të buxhetit të përgjithshëm, ndërsa Qeveria e Kosovës për bujqësia nuk i ka ndarë as 0.1 për qind të buxhetit të përgjithshëm.
Sipas Rusinovcit duhet të ekuilibrohet buxheti për çdo sektor dhe ti ndahet një përqindje më e madhe bujqësisë sepse, sipas tij investimi në bujqësi do të gjeneronte vende pune më shumë se çdo sektor tjetër. Bujqësia është prioritet vetëm gjatë fushatës zgjedhore dhe harrohet. Nëse investojmë vetëm 50 për qind në bujqësi sa është investuar në asfaltimin e rrugëve, do të kishim shumë më shumë vende të reja të punës, tha ai.
Kosova ka ndarë 12 milion euro për bujqësinë, që është as 0.1 për qind e buxhetit të përgjithshëm të Kosovës.
Buxheti i Shqipërisë për bujqësinë është rreth 46 milion euro.
Sllovenia për Bujqësinë ndanë rreth 500 milion euro. Maqedonia rreth 125 milionë euro buxhet për bujqësi.
Elhami Ismajli