Qeveria i ndan MPBZHR 12 milionë euro për programin e Politikave Bujqësore
Prishtinë, 4 shkurt - Në mbledhjen e 61-të me radhë, Qeveria ka ndarë mjete buxhetore për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në shumën prej 12 milionë eurove në nën programin e Departamentit të Politikave Bujqësore dhe Tregjeve në kategorinë “Subvencione dhe Transfere”.
Gjithashtu në mbledhje është miratuar edhe vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 03/33, të datës 28 shtator 2020, për zbatimin e Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike (PRE) në sektorin e bujqësisë, Masës 4A – dyfishimi i buxhetit për Programin për Pagesa Direkte për vitin 2020.
Sipas ndryshimit, pika 1 e këtij vendimi riformulohet si në vijim: “Me qëllim të zbatimit të Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike në sektorin e bujqësisë, Masa 4A- dyfishimi i buxhetit për Programin për Pagesa Direkte për vitin 2020, dyfishohen vlerat e pagesave direkte (subvencioneve) për secilën kulturë të paraparë në Programin e Pagesave Direkte për vitin 2020, krahasuar me vitin 2019.
Për subvencionimin e litrit të verës së prodhuar gjatë vitit 2020 dhe të deklaruar zyrtarisht deri në datën 15.01.2021, dyfishimi nga 4 centë në 8 centë, do të përfshihet në Programin e Pagesave Direkte për vitin 2021.