Qeveria e përkushtuar për zhvillimin e bujqësisë
Prishtinë, 6 qershor - Qeveria i bënë trajtim të veçantë sektorit të bujqësisë duke e futur atë në planin strategjik për zhvillimin e vendit
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor të Kuvendit të Kosovës, zv. kryeministrja dhe ministrja e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Mimioza Kusari-Lila, foli për një varg masash të marra nga ministria për ruajtjen e prodhime vendore nga lëmi i bujqësisë.
Kryetari Komisionit, Nait Hasani, falënderoi ministren për prezencën e saj.
Më pas, Hasani e njoftoi ministren se takimi i sotëm vjen si nevojë nga vazhda e aktiviteteve dhe vizitave që ka bërë Komisioni në komuna të ndryshme.
Lidhur me këtë ai foli për masat mbrojtëse që duhet ndërmarrë ministria për prodhuesit vendor nga lëmi i bujqësisë.
Ministrja Lila, ndërkaq, njoftoi se qeveria dhe ministria që ajo udhëheq, sektorit të bujqësisë i bëjnë trajtim të veçantë duke e futur atë në planin strategjik për zhvillimin e vendit.
Më pas, ajo njoftoi se buxheti prej 1% sa ka aktualisht Ministria e Bujqësisë, në vitin e ardhshëm do të jetë 3%.
Duke folur për masat mbrojtëse që po ndërmerr ministria, Lila, vuri në pah masat e reciprocitetit, për të cilat tha se së shpejti do të aplikohen ndaj Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës.
Pyetjes që bënë anëtarët e Komisionit lidhur me masat e reciprocitetit dhe ngrirjes së doganave për të cilat foli ajo, ministrja Lila shpjegoi se pozita e Kosovës është pozitë e blerësit, andaj në këtë rast humbjet më të mëdha do ti shkaktoheshin Serbisë dhe Bosnjë- Hercegovinës.
Ajo që Kosova mund të pësoj në këtë rast, tha Lila, është përshkallëzimi i kontrabandës.
Duke iu referuar të dhënave nga MTI-ja, ministrja me këtë rast njoftoi se nga 2 miliardë euro sa realizon import vjetor Kosova, 360 mil.euro realizohen nga Serbia, shprehur në përqindje 15%, nga importi i përgjithshëm, njoftoi ajo.
Importin në shkallë kaq të madhe nga Serbia, ministrja e arsyetoi me shprehinë e krijuar nga konsumatori, andaj tha ajo, ngritja e cilësisë së prodhime vendore, do tua kthejë konsumatorëve besimin në kualitetin e prodhimeve vendore.
Ministrja, në vijim foli për përpjekjet që bënë MTI-ja për liberalizimin e tregut, dhe për masat që ndërmerren në ngritjen e cilësisë.
Duke folur për masat që ka ndërmarrë Republika e Shqipërisë, e cila ka aplikuar çmimin referent në dogana për mallrat nga Kosova, ministrja shpjegoi se është duke pritur njoftim zyrtar nga ministri i Ministrisë së Financave të Shqipërisë, Ridvan Bode.
Komisioni në mbledhjen e sotme miratoi edhe Planin Hapësinor të Kosovës për vitin 2010-2020.
Në fund të mbledhjes së sotme, anëtarët e Komisionit shprehën pakënaqësinë e tyre ndaj një shkrimi të së përditshmes Kosova Sot. Kosova Sot thanë ata, në mënyrë jo korrekte ka raportuar se Komisioni në mbledhjen paraprake ka pasur vështirësi në përzgjedhjen e ekspertëve për draftimin e Projektligjit për kadastër dhe atij për regjistrimin e pronës.