26 Dhjetor 2024

Qeveria e përkushtuar për të përkrahur prodhimtarinë bujqësore

Shtime, 14 korrik - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, i shoqëruar nga ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, mori pjesë në fushatën e korrje-shirjeve të grurit në Komunën e Shtimes.

Kryeministri Isa Mustafa tha se ky është një akt shumë i rëndësishëm pasi që tregon përkushtimin e njerëzve të Kosovës për tokën, vendin, prodhimin vendor, për shfrytëzimin e sipërfaqeve tokësore.

Duke theksuar se kjo është një sipërfaqe, e cila më parë ka qenë e mbushur me shkurre, kryeministri Mustafa tha se tashmë ajo është shndërruar në sipërfaqe për mbjelljen e kulturave të ndryshme bujqësore, të grurit dhe pjesë të plantazhit të mollëve, që është një sukses i madh.

“Është edhe sukses i Ministrisë së Bujqësisë në përkrahjen e bujqve tanë dhe njerëzve që janë të përkushtuar për ta zhvilluar bujqësinë”, tha kryeministri.

Kryeministri Mustafa po ashtu vlerësoi përkushtimin e Komunës së Shtimes për ndërlidhjen shumë të ngushtë të pushtetit lokal në zhvillimin ekonomik lokal. 

“Ne do të jemi të përkushtuar si Qeveri që të përkrahim prodhimtarinë bujqësore, t’i japim prioritet më të madh sektorit të bujqësisë, që është sektor i cili neve na e mbulon tregun e brendshëm, i cili po jep rendimente mjaft të larta, mirëpo i cili do të ofrojë kushte të mira për punësim”, tha kryeministri Isa Mustafa.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, u shpreh veçanërisht i kënaqur këtë vit, duke u nisur nga fakti që është një nga vitet më të mira në një kohë të gjatë.

“Përveç që kemi një sipërfaqe rekorde të kultivuar me grurë, që është një kulturë strategjike për ne, është jashtëzakonisht e rëndësishme të thuhet se këtë vit rendimentet janë shumë të mëdha, janë më të mëdha se në vitin e kaluar, pritet që të jenë diku rreth 4.5 ton për hektarë. Kur kemi parasysh që këtë vit kemi 85 mijë hektarë të mbjella me grurë anë e kënd Kosovës, ne presim që këtë vit rendimenti total të jetë përafërsisht 90 për qind, që të mbuloj konsumin e grurit në vendin tonë sipas standardeve të farës”, tha Krasniqi.

Ministri po ashtu tha se dëshmia më e mirë për mundësitë që i ka bujqësia dhe për këtë trajektore gjithmonë në rritje pozitive të bujqësisë në Kosovë është edhe ky vend.

“Mbi 500 hektarë kanë qenë djerrina deri vitin e kaluar, ndërsa sot po shihni pemishte jashtëzakonisht moderne, po shihni një fushë të mbjella me grurë me mbi 40 hektarë që jep një rendiment të jashtëzakonshëm, dhe po shihni një entuziazëm dhe një vullnet të paparë për të vazhduar dhe për të zhvilluar bujqësinë, sepse me të vërtetë ka potencialin më të madh zhvillimor në kuptimin afatshkurtër dhe afatmesëm edhe për të gjeneruar vende të reja të punës, por edhe për të ndikuar drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik”, tha ministri Krasniqi.

Ai po ashtu tha se për shkak të rritjes rekorde të numrit të fermerëve që po kultivojnë grurë këtë vit, të sipërfaqes rekorde këtë vit kanë mbetur për disa ditë mbrapa për sa i përket pagesës së subvencioneve.

“Por dua t’i njoftoj fermerët që brenda dhjetë ditëve do të filloj pagesa e këtyre subvencioneve. Është pak, disa ditë më vonë se sa viteve të kaluara, por ajo që është e rëndësishme të thuhet është që edhe këtë vit kemi pasur rritje të buxhetit për bujqësinë, kemi pasur rritje të përgjithshme të buxhetit për subvencione dhe grante, dhe besoj se ky trend i rritjes do të vazhdoj edhe në vitet e ardhshme, sepse ashtu siç tha edhe kryeministri, gjithsesi bujqësia do të mbetet edhe për një periudhë një nga motorët kryesorë të zhvillimit ekonomik të vendit tonë”, tha ministri Krasniqi.

Kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli, ka falënderuar kryeministrin Mustafa dhe ministrin Krasniqi për vizitën që i bënë Komunës, konkretisht aty ku puna e bujqve tregon rezultate praktike.

“Mendoj se një punë e tillë dhe vetë fushata e korrje-shirjeve më tepër cilësohet jo vetëm nga fermerët por nga të gjithë ne, si një akt solemn, sepse deri në këto momente bereqeti në ara ishte në mëshirën e natyrës, ndërsa nga tash i adresohet hambarëve të fermerëve dhe mundësisë që qytetarët e Kosovës ta konsumojnë atë. Ky rezultat dhe kjo punë po bëhet falë fermerëve dhe angazhimit të tyre, mirëpo ne nuk duhet ta lëmë anash edhe mbështetjen që po u jepet fermerëve nga niveli lokal dhe qendror”, tha kryetari Ismajli.

Hyzer Gashi, pronar i Kompanisë “Besimi Comerce”, tha se kjo kompani e ka hapur këtë kapitull për investime, duke shpresuar se e ardhmja është këtu.

“Jam shumë i bindur që me investime kthehet shpresa. Kjo tokë ku sot gjendemi për korrje-shirje dhe këto plantacione para një viti ishin shkurre. U hapën këto toka të cilat u blenë dhe u forcuan në emër të kompanisë për të bërë investime. Investimet e deritanishme në këtë zonë kapin shumën rreth 1 milion euro dhe vazhdojnë të jenë duke qenë investime vetanake, por njëkohësisht edhe duke u përkrahur nga Ministria e Bujqësisë me donacione, subvencione dhe njëkohësisht edhe nga komuna me projekte infrastrukturore dhe këshilla të tjera. Ne kemi shpresë për të ardhmen dhe në këtë vend po projektojmë në hapësirë prej 30 hektarë që të ketë një numër të punësuarve, sipas disa standardeve rreth 80 ose 100 punëtorë të rinj do të gjejnë kafshatën e bukës në këto zona ku dielli është i yni, uji, toka është e jona, njerëzit janë tanët. Na duhet përkrahja financiare dhe menaxhimi i mirë i resurseve dhe pasurisë sonë që e kemi këtu”, tha Gashi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)