Qeveria e Kosovës po mbështet bujqësinë
Zyrtari për Informim në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Adil Behramaj, ka bërë me dije se në këtë vit do të realizohet procesi i aplikimit të fermerëve, regjistrimit të parcelave në sistemin LPIS dhe shumë projekte të tjera.
Po ashtu, ai deklaruar se ekzekutimi i pagesave do të bëhet në vitin tjetër, pasi të përfundojë në tërësi procesi i kontrolleve në terren. Arsyeja pse kjo mbështetje nuk jepet menjëherë, por pasi të përfundojnë mbjelljet vjeshtore të grurit është minimizimi i mundësive për keqpërdorimin e subvencioneve, sepse shpeshherë sipërfaqja e deklaruar në aplikacion nuk përputhet me sipërfaqen e verifikuar në terren. Vitin e kaluar kjo shpërpushje ka qenë mbi 30 për qind, ka thënë ai.
Sipas tij, mbështetja që i është bërë këtij sektori në vitin paraprak ka qenë gjithsejtë 2.1 milionë euro. Në vitin 2011 e kemi rritur mbështetjen në 3.7 milionë.
Si rrjedhojë është rritur standardi i përkrahjes në 100 euro për hektar dhe është dyfishuar pothuajse numri i përfituesve e po ashtu numri i sipërfaqeve të mbjella. Fermerëve u është premtuar ndërtimi i depove për grumbullim, ruajtje dhe klasifikim të produkteve bujqësore dhe tani është finalizuar projekti për ndërtimin e tyre, ka pohuar ai. Sipas tij, deri në verën e vitit të ardhshëm planifikohet ndërtimi i depove ushqimore.
Qeveria e Kosovës do të krijojë lehtësira për qasje në kredi bujqësore. Ne jemi duke punuar në këtë drejtim, përkatësisht në krijimin e një fondi garantues për këto kredi. Për këtë çështje kemi kërkuar edhe mbështetjen e donatorëve tanë, ka treguar ai.
Ndërkaq për subvencionimin e imputove bujqësore, si farërat, plehu dhe imputo të tjera, Behramaj ka theksuar se këtë masë mbështetëse e zbatojnë shumica e komunave në vend. Ne, në kuadër të mbështetjes në këtë fushë, kemi arritur tua heqim tarifën doganore dhe TVSH-në shumicës së imputove dhe pajisjeve bujqësore. Për këtë çështje ne e kemi përgatitur edhe një pako me propozime të reja fiskale, të cilën tashmë e kemi proceduar në Ministrinë e Financave, ka bërë me dije ai.
Drafti i buxhetit i miratuar për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për vitin 2012 sillet rreth 22 milionë euro, apo me mbi 60 për qind rritje në krahasim me vitin 2011.
Behramaj ka thënë se vlera e investimeve të përgjithshme të Ministrisë së Bujqësisë në vitin 2012, në përshtatshmëri me qarkoren e fundit buxhetore, parashihet të jetë përreth 17 milionë euro, mirëpo kategorizimi i saktë do të bëhet vetëm pasi të miratohet buxheti për vitin e ardhshëm.
Në harmonizim të plotë me planin tonë zhvillimor, përkatësisht me masën 2 dhe 4 të PZHRB 2007-13, vlera e investimeve të përgjithshme të donatorëve për sektorët që ne mbulojmë, për periudhën e ardhshme sillet rreth 50 milionë euro dhe një pjesë e konsiderueshme e këtyre mjeteve do të ofrohen si mbështetje për fermerët dhe agrobizneset nëpërmjet grandeve investive, është shprehur Behramaj.
Ditë më parë përfaqësuesit e Federatës së Bujqve të Kosovës i kanë kritikuar institucionet e Kosovës për mosmbështetje për fermerë.(Epoka e Re)