Qeveria e ka vendosur bujqësinë si prioritet strategjik të zhvillimit kombëtar
Prishtinë, 17 maj - Në kuadër të takimeve të rregullta të Qeverisë së Kosovës dhe Komisionit Evropian, sot është mbajtur takimi i tyre i dytë sektorial mes përfaqësuesve të KE-së, përkatësisht Nën-komitetit të MSA-së për Bujqësi, Sigurisë Ushqimore dhe Peshkatari dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Në këtë takim i cili mbahet në kuadër të kornizës së Dialogut për Procesin e Stabilizim Asociimit (DPSA), Sekretari i Përgjithshëm i MBPZHR-së, Kapllan Halimi, tha se bujqësia është një prej sektorëve kyç në ekonominë e vendin, prandaj edhe Qeveria e Kosovës e ka vendosur bujqësinë si prioritet strategjik të zhvillimit kombëtar të vendit, e cila zë vend të rëndësishëm në planin e politikave ekonomike evropiane. “Ne si institucion kemi bërë përpjekje të vazhdueshme që të gjeturat e vitit të kaluar t’i adresojmë në planin tonë vjetor të punës. Këtë vit jemi fokusuar në hartimin e legjislacionit, në harmoni me politikat e përbashkëta bujqësore të BE-së, si dhe jemi munduar në ngritjen e kapaciteteve profesionale të zyrtarëve të institucionit tonë, pasi që niveli i kënaqshëm i kompetencës së tyre do të sjellë edhe produktivitet dhe cilësi në vazhdën e punës”, tha ndër tjerash z. Halimi.
Nga ana tjetër, përfaqësuesja e KE-së, njëherësh edhe Zëvendës-shefja e Fqinjësisë Evropiane në Negociatat e Zgjerimit në Komisionin Evropian, Mary Teresa, u shpreh e kënaqur lidhur me raportin dhe detajet e përfshira në të dhe në të gjitha përpjekjet e zyrtarëve të MBPZHR-së për të arritur sukses në rekomandimet e vitit paraprak.
Ndryshe, nën mandatin e MBPZHR për hartimin dhe zbatimin e politikave dhe legjislacionit në fushën e Bujqësisë, Blegtorisë, Prodhimtarisë dhe Mbrojtjes Bimore, Zhvillimit Rural dhe Pylltarisë në vitin 2017 janë hartuar gjithsej 8 projektligje (Projektligji për ushqimin, Projektligji për pijet alkoolike, Projektligji për bujqësi dhe zhvillim rural, Projektligji për farëra, Projektligji për materialin fidanor, Projektligji për veterinarinë, Projektligji për pyjet, Projektligji për gjuetinë), dhe gjithashtu, për zbatimin e ligjeve të miratuara në vitin 2017, nga ministri i MBPZHR-së janë miratuar 6 udhëzime administrative.
Tema e parë e cila u përzgjedh si prioritet i diskutimit në këtë takim ishte tema rreth sigurisë ushqimore në vend.