25 Dhjetor 2024

Qendrat grumbulluese garantojnë tregun për fermerët

Prishtinë, 6 gusht – Ndërtimi i qendrave të mëdha grumbulluese për pemë e perime, ua ka lehtësuar edhe më tej punën e fermerëve anë e mbanë vendit.

Kështu, edhe ndërtimi i qendrës grumbulluese në fshatin Xërxë të komunës së Rahovecit, ka ndikuar që fermerët e rajonit të Anadrinisë, prodhimet  e tyre bujqësore t’i ruajnë të freskëta, gjë e cila ka ndikuar në një tregtim të suksesshëm të tyre.

Gjatë vizitës që sot ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, i bëri kësaj qendre, tha se kjo ministri edhe në të ardhmen do t’i përkrah projektet që krijojnë lehtësira dhe garanci për treg për fermerët. Në vizitë ishin edhe drejtori i USAID-it në Kosovë, James Hope, si dhe kryetari i Rahovecit, Idriz Vehapi. Ministri tha se krahas kësaj duhet të punohet në rritjen e prodhimtarisë bujqësore.

Ministri Krasniqi tha se qendrat grumbulluese janë edhe një garancë për zëvendësim të importit me produkte vendore, gati gjatë gjithë vitit. Ai tregoi se kjo qendër për grumbullimin, ruajtjen, klasifikimin dhe shitjen e prodhimeve bujqësore, është përkrahur përmes grantit investiv të MBPZHR-së në vlerë prej rreth 1 milion euro.

“Përmes kësaj qendre grumbulluese, e cila është jo vetëm ndër më të mëdhatë dhe më modernet në Kosovë, por edhe në rajon, realisht e shohim mënyrën më të mirë se sa është zhvilluar dhe po zhvillohet bujqësia. Më vjen mirë që kjo është realizuar me bashkëfinancimin e Ministrisë së Bujqësisë, e cila ka investuar gati 1 milion euro për ndërtimin e kësaj qendre grumbulluese dhe sot po e shohim që është plot me produkte vendore nga rajoni i Rahovecit, por edhe nga rajonet tjera të Kosovës.

\"Është një fakt mbresëlënës  që tashmë në këtë sezonë janë mbi dy mijë fermerë të Kosovës, të cilët janë duke bashkëpunuar me këtë qendër grumbulluese, ku i sjellin produktet e tyre ku e kanë realisht shitjen në treg të garantuar dhe që e mundësojnë pastaj plasimin e këtij produkti, këtyre prodhimeve, kulturave bujqësore anë e mbanë Kosovës që iu ofrojnë qytetarëve, konsumatorëve të Kosovës prodhime të freskëta, prodhime cilësore dhe prodhime të vendit tonë, të cilat padyshim e ndihmojnë jo vetëm zhvillimin ekonomik, por edhe konsolidimin dhe krijimin e vendeve të punës”, tha ministri Krasniqi.

Ai falënderoi donatorët, në veçanti USAID-in që në vazhdimësi ka treguar mbështetje në forma të ndryshme për bujqësinë kosovare.
Krasniqi tha se janë shumë inkurajuese pamjet gjithandej Kosovës, ku shihet se po punohet më shumë toka dhe që është një sinjal se do të ketë më shumë prodhim dhe punësim. Ai tha se ministria ka nisur sivjet të ndajë fondin prej 43 milionësh për fermerët, 20 prej të cilave në grante dhe 23 në subvencione.

Në anën tjetër, drejtori i USAID-it, në Kosovë, James Hope, tha se është inkurajuese që në Kosovë po rritet çdo vit sasia dhe cilësia e produkteve. “Bujqësia është ajo që po drejton ekonominë vendore. Kjo qendër është një shembull i një pune të mirë nga të gjitha palët, pra është një shembull i bashkëpunimit mes sektorit privat dhe qeverisë. Qendra si kjo mbi të gjitha sigurojnë tregun edhe për fermerët e vegjël”, tha Hope.

Ndërkaq, kryetari i komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi, theksoi se ndërtimi i kësaj qendre, ka filluar t’i japë edhe rezultatet e para në këtë rajon, pasi që sipas tij, tashmë tregu vendor po arrin që të jetë i furnizuar përgjatë tërë kohës me prodhimeve të freskëta vendore. Ai falënderoi MBPZHR-në për mbështetjen e madhe dhe të vazhdueshme që i jep kësaj komune, që është shembull në bujqësi. Vehapi ftoi fermerët që të punojnë në rritjen e sasisë dhe cilësisë së produkteve.

Ramiz Kelmendi, pronar i kompanisë Elkos Group, pjesë e të cilës është edhe kjo qendër tha se ata do të vazhdojnë të rrisin kapacitetet pranuese të qendrës dhe do të jenë gjithmonë në gatishmëri të fermerëve.
 
Ndryshe,  Ministria e Bujqësisë, krahas mbështetjes së qendrës grumbulluese në rajonin e Anadrinisë, ka mbështetur financiarisht edhe ndërtimin e qendrës grumbulluese në rajonin e Dukagjinit, si dhe atë në rajonin e Anamoravës. Për secilën ministria ka ndarë rreth 1 milion euro.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)