26 Dhjetor 2024

Pyjet janë potencial për zhvillim ekonomik

Prishtinë, 27 prill - Pyjet janë potencial i rëndësishëm për zhvillim ekonomik dhe institucionet po punojnë që të ruajnë ato dhe ti shfrytëzojnë në mënyrë efikase për tërheqjen e investitorëve.

Kështu tha sot ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi në Sesionin e dytë të Forumit Debatues për Sektorin e Pylltarisë në Kosovë që u organizua nën patronatin e ministrit Krasniqi.

Në të kanë marrë pjesë Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Aganai, ambasadorja e Finlandës në Prishtinë, Anne Huhtamaki, përfaqësues të FAO-s, organizata të ndryshme vendore e ndërkombëtare.

“Çështja e pyjeve është më të vërtetë një prioritet, sepse para se gjithash flasim për gati gjysmën e tokës sonë, dhe një potenciali të madh për zhvillim  ekonomik. Këtë e vërteton fakti se në Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit pyjet janë përfshirë si një nga prioritet nacionale dhe janë paraparë një varg masash që do të ndërmerren”, tha ministri Krasniqi. Sipas tij, Kosova zë vend në shtetet ku konsiderohet se situata pyjore është e kënaqshme.

Të dhënat e fundit nga Inventarizimi Nacional i Pyjeve na bëjnë të ndjehemi mirë, sepse jetojmë ne një territor i cili ka produktivitet te jashtëzakonshëm ne rritjen e pyjeve. Duke u mbështetur në këto të dhëna konsiderohet se Kosova ka 481.000ha me pyje, te cilat mbulojnë rreth 44% te territorit të vendit. Nëse shohim pronësinë, llogaritet se 62% e sipërfaqeve pyjore i përkasin sektorit publik, ndërsa 38% atij privat. Volumi i përgjithshëm i masës drusore konsiderohet te jete 46.331.milion m³. Rritja vjetore ne nivel vendi është 1.55 milion m³, ndërsa rritja vjetore për hektarë është 3.3m³. Një e dhënë mjaftë pozitive e dalë nga ky inventarizim është fakti se Kosova për një periudhe 10 vjeçare ka shtuar sipërfaqet pyjore për 20.200ha ose rreth 5%.

Ministri Krasniqi tha po ashtu se deri më tani janë realizuar një serë projektesh që kanë avancuar mbrojtjen dhe menaxhimin e pyjeve, por shtoi se do të ketë edhe më shumë hapa konkret që gjendja të përmirësohet edhe me tej.

“Ne jemi të vetëdijshëm se për t’i dhënë një rendësi më të madhe pyjeve për shfrytëzimin e tyre për zhvillim ekonomik, ka nevojë të ndryshohet ligji për pyjet, i cili është pothuajse gati për procedim në qeveri dhe ne kemi paraparë rrethana më favorizuese për investitorë të mëdhenj, dhe që ruajnë pyjet e Kosovës, duke zgjatur afatin e dhënies në shfrytëzim dhe duke paraparë procedura më të qarta aplikimi dhe marrjes së vendimeve.

Një aspekt tjetër që do të sqarohet në këtë ligj është kompetenca rreth menaxhimit, ku komunat tash fare pak do të kenë sepse është parë që nuk ka funksionuar si duhet, por tash kompetencat do të dalin në nivel qendror”, shtoi ai, duke përmendur po ashtu edhe rritjen e dënimeve për prerësit ilegal dhe dëmtuesit e pyjeve, si një masë parandaluese dhe ndëshkuese.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, tha se institucionet kanë bërë punë të mirë edhe përkundër dukurive të prerjes ilegale të pyjeve.

“Institucionet dhe sektori privat besoj që kanë bërë një punë të mirë, përkundër këtyre dukurive negative dhe vështirësive  të tjera që janë shfaqur me kalimin e kohës dhe mendoj që edhe në këtë sektorin e kemi model të mira të funksionimit  e sidomos kur flasim për sektorin privat”, tha ai.

Ministri Agani tha se korniza ligjore e miratuar për sektorin e mjedisit është krijuar duke transpozuar dispozita nga Direktivat e BE-së për secilën fushë specifike e po ashtu legjislacioni mjedisor është i harmonizuar edhe me rregulloret relevante të BE-së.

“MMPH-ja që nga viti 2007, për nëntë vjet me radhë, zbaton Monitorimin e Progresit dhe plotëson Pyetësorët e Zbatimit për legjislacionin mjedisor, Tabelat e Përshtatshmërisë i ka dërguar në institucionet e BE-së dhe nga atje vlerësimi është inkurajues - Direktivat e BE-së në përqindje të lartë janë transpozuar në legjislacionin kombëtar”, ka thënë Agani, i cili tha se karshi këtyre veprimeve Ministria nuk ka ndenjur duarkryq por ka ndërmarrë disa veprime që gjendja në terren të përmirësohet.
Ambasadorja e Finlandës, Anne Huhtamaki tha se projektet për sektorin pyjor në Kosovë, janë projektet më të mëdha që Finlanda i ka bërë në Kosovë gjatë këtyre viteve dhe se projekti i pylltarisë prej që ka filluar prej pesë viteve është në përkrahje teknike si dhe është zhvilluar edhe një laborator në Pejë.

“Projekti ka ndihmuar në potencialin ekonomik në Kosovë. Ngritja e vetëdijes është bërë edhe për tema të rëndësishme për dobësitë apo anët negative të prerjeve të pyjeve dhe në aspektin ekologjik. Miratimi i një ligji të ri për pyjet është gjëja më e rëndësishme për pylltarinë e kur ligji të miratohet atëherë rezultatet e projektit do të vihen në praktikë”, shtoi Huhtamaki.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)