23 Dhjetor 2024

Pyjet e Kosovës po vazhdojnë të rrezikohen

Prizren, 30 korrik - OJQ EC Ma Ndryshe në bashkëpunim me Klubin e Ambientit “Luciano Motroni” ka organizuar tryezën e diskutimit “Gjendja e pyjeve dhe problemi i shpyllëzimit”.

Kjo tryezë është organizuar me qëllim që të prezantojë gjendjen ekzistuese të pyjeve dhe të trajtojë problematikën e dëmtimit të pyjeve përmes formave të ndryshme.

Në këtë diskutim është prezantuar gjendja aktuale e pyjeve, efekti zingjiror që shkakton shpyllëzimi, trajtimi që ofrohet nga ligji për këtë çështje dhe situata në Parkun Kombëtar të Sharrit. Panelistë të këtij debati ishin Izet Osmanaj nga Drejtoria e Bujqësisë, Alban Hyseni – Ekolog dhe ligjërues në Universitetin e Prishtinës, dhe Bekim Bytyqi nga D.A.P.K Sharri.

Përfaqësuesi i Drejtorisë së Bujqësisë, Osmanaj njoftoi të pranishmit mbi sfidat që ky institucion has në monitorimin e vazhdueshëm të pyjeve të rajonit të Prizrenit, aksionet e pyllëzimit, fletëparaqitjeve që bëhën ndaj prerësve ilegal si dhe bashkëpunimin që këta të fundit kanë më institucionet e rendit dhe drejtësisë.

Në anën tjetër profesori nga Universiteti i Prishtinës Hysenaj foli mbi pasojat e shpyllëzimit, prishjen e balancit ekologjik, shkatërrimit të habitateve, prishjes së zingjirit ushqimor, ndryshim të ciklit ujor e kështu me radhë.

Nga ky u fundit u potencua që tematika e mbrojtjes së ambientit duhet të futet si lëndë obligative në kurrikulën shkollore pasi që mënyra më e mirë e luftimit të këtyre fenomeneve të dëmshme ndaj natyrës është vetëdijesimi kolektiv.

Përfaqësuesi i DAPK Sharri dha informata mbi gjendjen aktuale në këtë park nacional, duke informuar të pranishmit mbi veçoritë dhe vlerat e biodiversitetit në këtë zonë.

Poashtu në kuadër të këtij prezantimi u elaborua edhe pjesa e legjislacionit që rregullon menaxhimin e PK Sharrit. U potencua që pyjet tona po rrezikohen vazhdimisht nga prerjet ilegale dhe zjarrëvëniet e qëllimshme, të cilat janë duke shkaktuar dëme afatgjata.

Nga të pranishmit pat pyetje dhe ndërhyrje vazhdimisht, e si përfundim erdhi që mungesa e zbatimit të ligjit, mungesa e kampanjave të mjaftueshme vetëdijesuese dhe kapaciteti i vogël i institucioneve monitoruese të pyjeve janë disa nga arsyet që këto habitate po vazhdojnë të dëmtohen.

Ky aktivitet është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA).
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)