Punëtorët e M & Sillos në grevë
Prishtinë, 13 maj - Mungesa e pagave ka bërë që 40 punëtorë të fabrikës së miellit M& Sillos në Xërxë të Rahovecit të hyjnë në grevë.
Ata kërkojnë nivelizimin e pagave, pagesën e orëve të natës dhe të ditëve të festave.
Përfaqësuesi i Kryesisë së Sindikatës së punëtorëve Agim Thaçi ka thënë se punëtorët janë në grevë në ambjentet e fabrikës.
Ekipi i RTK-së, u mundua të kontaktojë me punëtorët dhe menaxhmentin e fabrikës për këtë grevë, por sigurimi i objektit nuk lejoi që të afrohemi afër fabrikës me arsyen se, nuk ishim të ftuar dhe greva është problem i brendshëm i fabrikës.
Punëtorët grevistë u munduan të dalin deri tek dera për të kontaktuar me gazetarët, por sigurimi kishte paralajmëruar se, nëse e kalonin derën e rrethojës së fabrikës, nuk do të lejoheshin më të futeshin brenda.
Sipas Agim Gashit, tek ata po ushtrohet presion që nëse nuk do të fillonin punën do të nxirreshin jashtë me polici. Duke kontaktuar vazhdimisht me anë të telefonit me punëtorët në grevë, ata thonë se, asnjë sektor në M & Sillos nuk është duke punuar, si dhe punëtorët do të vazhdojnë grevën deri në plotësimin e kërkesave të tyre.