Publikohet Indeksi i Çmimeve të Inputeve dhe Çmimet në Bujqësi
Prishtinë, 28 shkurt - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Indeksin e Çmimeve të Inputeve dhe Çmimet në Bujqësi” për periudhën 2015 - 2021 (2015=100 .
Për të bërë krahasime dhe për t'i vërejtur ndryshimet janë prezantuar të dhëna për vitet 2015-2021 dhe për vitin bazë 2015, (2015 =100).
Ky publikim është i bazuar në çmimet e inputeve bujqësore të grumbulluara në Kosovë. Grumbullimi i çmimeve është kryer në barnatoret bujqësore, farmacitë veterinare, në kompani, tregje dhe në vende të tjera, ku çmimet e inputeve bujqësore janë në dispozicion. Disa çmime të inputeve bujqësore janë marrë nga çmimet e konsumit (IHÇK) në ASK..
Produktet, që përbëjnë bazën për Indeksin e Çmimit të Inputeve janë të ndara në dy grupe kryesore: Mallrat dhe shërbimet aktualisht të konsumuara në bujqësi (Input 1) dhe Mallrat dhe shërbimet që kontribuojnë në investimet në bujqësi (Input 2). Brenda grupit të mallrave dhe shërbimeve aktualisht të konsumuara në bujqësi, çmimet grumbullohen sipas grupeve në vijim: farëra dhe material mbëltues, energji; vajra, plehra dhe përmirësues të tokës, produkte për mbrojtjen e bimëve dhe pesticide, shpenzime për veterinari, lëndë për ushqimin e kafshëve, mirëmbajtje e materialeve, mirëmbajtje e ndërtesave, si dhe mallra dhe shërbime të tjera. Sa i përket mallrave dhe shërbimeve që kontribuojnë në investimet bujqësore, çmimet grumbullohen për materiale (makineri dhe pajisje të tjera), ndërtesat dhe të tjera (ndërtesat jo-rezidente të fermës, punët e tjera përveç përmirësimit të tokës).
Në vitin 2021, indeksi vjetor i çmimeve të inputeve bujqësore ka rritje për 11.5% për Input 1, krahasuar me vitin 2020. Kurse, indeksi për Input 2 ka rritje për 5.0% në vitin 2021, krahasuar me vitin 2020.
Ndërkaq, Indeksi vjetor i çmimeve të inputit të përgjithshëm (Input 1+Input 2) ka rritje për 8.3% në vitin 2021, krahasuar me vitin 2020.
Kurse, krahasuar me vitin 2015, indeksi vjetor i çmimeve të inputeve bujqësore ka rritje për 3.1% për Input 1 në vitin 2021 dhe për Input 2 ka rritje për 16.8% në vitin 2021.
Ndërkaq, Indeksi vjetor i çmimeve për inputin e përgjithshëm (Input 1 + Input 2) ka rritje për 9.2%, krahasuar me vitin 2015.