Promovohen produktet bujqësore vendore
Prishtinë, 27 prill - Shtrojeni sofrën me prodhime të tokës tonë, sepse janë më të mira, më të freskëta, më të shijshme dhe më të shëndetshme.
Kështu u tha sot në promovimin e raftave për produktet bujqësore, të cilët janë pjesë e fushatës së Ministrisë së Bujqësisë Për sofrën tonë, e cila synon ngritjen e vetëdijes në masë për rëndësinë ekonomike të konsumimit të prodhimtarisë vendore.
Krahasuar me rajonin, vendi ynë mbetet ende një vend që prodhimtarinë e vet nuk e konsumon në nivelin e duhur tha ministri Stavileci, sipas të cilit, kjo fushatë synon të përmirësojë komunikimin ndërmjet konsumatorëve dhe prodhuesve vendorë.
Emërues i përbashkët i të gjitha palëve është konsumimi i prodhimtarisë vendore dhe vetëm integrimi i interesave të të gjithëve në një vend mund të krijojë një ambient më të favorshëm për zhvillimin e bujqësisë dhe agrobizneseve."
"Pjesë e këtij integrimi janë edhe këto rafte, në të cilat konsumatorët do ti gjejnë në një vend shumicën e prodhimeve vendore, sepse të gjithë artikujt ushqimor që sot konsumohen kanë mundësi që të zëvendësohen me këto produkte të mrekullueshme të vendit tonë."
"Këto rafte do të jenë të ekspozuara në 24 qendrat më të mëdha të shitjes në Kosovë dhe pothuajse nuk ka artikull ushqimor që tashmë nuk prodhohet edhe nga prodhuesit vendorë, deklaroi Stavileci, duke shtuar se prodhimtaria bujqësore nuk mund të rritet vetëm duke investuar, por edhe duke e konsumuar.
Ai tha se për të shtuar dhe plotësuar sofrën tonë me produkte vendore, Ministria e Bujqësisë dhe donatorët e sektorit po mundohen ta bëjnë të pamundurën, që të rriten dhe zgjerohen kapacitetet prodhuese dhe përpunuese të vendit tonë.
Martin Wood, drejtor i programit të USAID-it Mundësitë e Reja për Bujqësi, nëpërmjet të cilit këtë vit në masë të madhe është duke u përkrahur fushata për promovimin e prodhimeve bujqësore Për sofrën tonë, tha se të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm për rëndësinë e konsumimit të sa më shumë pemëve dhe perimeve të kultivuara dhe të përpunuara në Kosovë.
Çdo nismë apo iniciativë për të zvogëluar disbalancën apo ekuilibrin tregtar kërkon përkrahje më të madhe dhe kjo është arsyeja që ne sot po e festojmë përkrahjen që i është dhënë këtij programi nga supermarketet kryesore të shitjes me pakicë dhe nga përpunuesit e ushqimit në Kosovë."
"Unë mendoj se nuk do të mund të kërkojmë një bashkëpunim më të madh nga ju që të bëjmë këtë kampanjë më të suksesshme, për të cilën Ministria dhe ne të gjithë shpresojmë se do të bëhet e tillë, potencoi Wood.
Ndërsa, drejtoresha e USAID-it në Kosovë, Maureen Shauket, tha se ka pasur përparime në rritjen e konkurrencës me produktet e importuara, mirëpo kanë mbetur edhe shumë sfida të tjera.
Sot ne dëshirojmë që të rrisim vetëdijen e çdo personi lidhur me prodhimet e mrekullueshme ushqimore që ofrohen nga prodhuesit kosovarë, por duhet ta ndryshojmë ende gjendjen në mënyrë që ta rrisim në maksimum potencialin e sektorit në bujqësi, tha Shauket.
Fushata për promovimin e prodhimeve bujqësore të vendit Për sofrën tonë, është nismë e Ministrisë së Bujqësisë, e cila në këtë vit është duke u përkrahur edhe nga USAID-i përmes projektit Mundësitë e Reja për Bujqësi.
Që nga viti 1999, kur kanë filluar programet e përkrahjes për Kosovën dhe deri më tani, sektori i bujqësisë është përkrahur me rreth 40 milionë dollarë nga USAID-i.