Promovohen produktet bujqësore
Prishtinë, 5 tetor - Nën organizimin e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Odës Ekonomike të Kosovës, sot filloi panairi i produkteve bujqësore në Zonën Industriale në Prishtinë. Produktet bujqësore në këtë panair janë duke i ekspozuar rreth 50 agrobiznese dhe në ceremoninë e hapjes së tij kanë marrë pjesë edhe strukturat më të larta udhëheqëse të vendit.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, tha se sektori i bujqësisë është duke u bërë gjenerator i zhvillimit ekonomik dhe se agrobizneset janë duke luajtur rol kyç në këtë fazë zhvillimore.
Qeveria e Kosovës ka dyfishuar përkrahjen financiare për sektorin e bujqësisë, por duke filluar nga viti i ardhshëm, këtij sektori do ti rritet mbështetja financiare në masë shumë më të madhe, sepse në planin tonë ekonomik për vitet e ardhshme bujqësinë e kemi radhitur tek prioritetet kryesore, duke e konsideruar si gjenerator të zhvillimit ekonomik për periudhën afatmesme, tha kryeministri Thaçi.
Ai tha se e ardhmja e sektorit të bujqësisë është shumë e ndritur dhe se do të vazhdohet të kultivohet partneriteti me të gjitha palët e interesit, ngase vetëm në këtë mënyrë mund të tejkalohen pengesat dhe të arrihen suksese të reja në këtë fushë.
Ministri Stavileci tha se nëpërmjet organizimit të panaireve të tilla po synohet të përforcohet sinergjia ndërmjet gjithë aktorëve të tregut dhe të ngritet vetëdija për rëndësinë ekonomike të konsumimit të prodhimtarisë vendore.
Ne me të gjitha politikat tona strategjike jemi të orientuar në rritjen e kapaciteteve të prodhimit dhe në krijimin e kushteve sa më të favorshme për prodhuesit vendorë. Ju informoj se tashmë jemi duke punuar edhe në përgatitjen e një pakoje të re fiskale për bizeneset dhe agrobizneset, si dhe në krijimin e një fondi të veçantë bankar për tua lehtësuar fermerëve qasjen në kredi bujqësore, tha ministri Stavileci.
Ai shtoi se të gjitha interesat duhet harmonizuar dhe integruar në një interes të përbashkët madhor, ku emërues i tyre duhet të jetë konsumimi i prodhimtarisë vendore.
Ndërsa, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, tha se në kushtet e Kosovës, zhvillimi i hovshëm i bujqësisë jo vetëm që do të ndihmonte Kosovën të barazohet me vendet e rajonit, por do të adresonte edhe shumë çështje të rëndësishme sociale.
Bujqësia përbën shansin të zhvillohemi më shpejtë ekonomikisht duke u mbështetur në burimet dhe resurset tona. Ne kemi pasur fatin ti kemi kushtet për tu bërë fuqi bujqësore në rajon, tha Gërxhaliu.
Panairi do të jetë i hapur deri më 8 tetor dhe për të gjithë vizitorët është organizuar edhe transport falas nga Prishtina.