Promovohen manaferra dhe mjedra
Prishtinë, 13 gusht - Kultivuesit e manaferrës dhe mjedrës nga rajone të ndryshme të Kosovës, që nga sot kanë filluar promovimin e prodhimeve të tyre në sheshin Nëna Terezë, në Prishtinë.
Për dhjetë ditë me radhë, sa do të jetë i hapur ky panair, 13 kultivues të këtyre bimëve të imta, përveç promovimit do të kenë edhe mundësinë e shitjes së drejtpërdrejtë të frutave të tyre.
Panairi për promovimin e manaferrës dhe mjedrës, sivjet është organizuar nga Ministria e Bujqësisë dhe programi i USAID-it Mundësitë e Reja për Bujqësi dhe qëllimi i tij është promovimi i varieteteve të reja të mjedrës, manaferrës dhe luleshtrydheve, kryesisht varieteteve të reja Polka dhe Albion, të cilat janë mbështetur nga programi i USAID-it.
Gjatë ditëve të ardhshme panairi do të vizitohet edhe nga ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci dhe drejtoresha e USAID-it në Kosovë, Maureen Shauket.