Promovohen grantet investive të KE-së për bujqësinë
Prishtinë, 22 prill - Promovohet fillimi i implementimit të projektit të ndërmarrjes Kabi, për përmirësimin e kualitetit dhe teknologjisë përpunuese në vlerë prej 354,042 euro.
Qumështorja Kabi në Kmetovc të komunës së Gjilanit është një nga 13 përfituesit e granteve rurale të KE-së, për prodhimin, përpunimin dhe marketingun e produkteve bujqësore në vitin e kaluar.
I pranishëm në këtë eveniment ishte edhe ministri i MBPZHR-së, Blerand Stavileci, i cili ndër të tjera tha se, si rezultat i pamjaftueshmërisë financiare, deri më tani Ministria e Bujqësisë ka mbështetur vetëm prodhimtarinë primare në sektorin e qumështit.
Ne nëpërmjet subvencioneve dhe granteve investive e mbështesim vetëm prodhimtarinë primare në sektorin e qumështit dhe grantet e Komisionit Evropian kanë mbuluar një fushë të cilën ne, si rezultat i buxhetit të limituar, deri më tani asnjëherë nuk kemi mund ta mbështesim.
Mbështetje jonë është e fokusuar në përmirësimin e infrastrukturës në fermë, në përmirësimin e mekanizmave dhe pajisjeve bujqësore për ngritjen e standardit të cilësisë së qumështit dhe vetëm në vitin 2010-të, vlera e përgjithshme e investimeve në këtë sektor arrinë vlerën prej 2 milionë e 850 mijë euro, tha ministri Stavileci.
Kjo mbështetje do të rritet dukshëm në vitin e ardhshëm dhe me investimet e mëtutjeshme do mundohemi ti mbështesim gjitha hallkat e zinxhirit prodhues, shtoi ai, në mënyrë që produktet finale të jenë sa më konkurrente në çmime dhe ti plotësojnë kriteret e cilësisë dhe sigurisë së ushqimit konform standardeve evropiane.
Drejtoresha e Projektit, Rrezarta Jakupi, tha se grantet e Bashkësisë Evropiane ia kanë hap dyert e zhvillimit kompanisë.
Fondet e Bashkimit Evropian po na mundësojnë zhvillimit e mëtutjeshëm, sepse projekti që jemi duke e implementuar do ta avancoj teknologjinë tonë për përpunimin e qumështit, do të ndikoj në rritjen e rrjetit të partnerëve dhe do të ngrisë cilësinë e produkteve tona.\"
\"Kjo mbështetje është një shtytje shumë e madhe për kompaninë, ngase na hap dyert e rritjes. Gjatë fazës 13 mujore të implementimit, mendojmë që minimum 30% të rrisim sasinë e përpunimit, përfundoi ajo.
Në skemën e granteve rurale në vlerë prej 5 milionë euro të Komisionit Evropian, vitin e kaluar kanë përfituar ndërmarrjet Kabi, Konsoni, Feti dhe Moea në rajonin e Gjilanit. Ndërmarrjet AgroDukagjini, Kosova Development Centre në rajonin e Gjakovës.
Në komunën e Pejës ka përfituar ndërmarrja Devolli Group. Ndërmarrjet Eurolona, JSC Magic Ice dhe Bylmeti në rajonin e Prishtinës. Ndërsa, në Vushtrri dhe Mitrovicë kanë përfituar ndërmarrjet MIB Trade, Pestova dhe NTP Ajka.
Prej gjitha këtyre, shtatë kanë përfituar për përmirësimin e standardeve të përpunimit të qumështit.