Projekti “KosAgri”, përkrahu zhvillimin e bujqësisë sipas standardeve evropiane
Prishtinë, 30 janar - Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, politikat bujqësore është duke i zhvilluar sipas standardeve evropiane. Falë mbështetjes dhe investimeve të bëra në kuadër të projektit italian “KosAgri”, tashmë në vendin tonë mund të implementohen standarde evropiane në sektorin e bujqësisë.
Kështu është shprehur ministri i MBPZHR-së, Nenad Rikalo, gjatë konferencës me rastin e përmbylljes së projektit “KosAgri”, i cili është mbështetur nga Agjencia Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim dhe Instituti Agronomik Mesdhetar në Bari të Italisë dhe është implementuar nga MBPZHR-ja.
Ministri Rikalo, ka falënderuar Qeverinë e Italisë për mbështetjen që kanë dhënë deri më tash në sektorin e bujqësisë, duke e vlerësuar se kjo mbështetje ka sjellë rezultate mjaft konkrete dhe të rëndësishme.
“Projekti KosAgri ka pasur qëllim përforcimin e Ministrisë së Bujqësisë në
implementimin e standardeve evropiane në sektorin e bujqësisë. Po ashtu, përmes këtij projekti kemi marrë edhe mbështetje në hartimin e ligjeve për bujqësinë organike dhe ligjit për mbrojtjen e bimëve. Në këtë mënyrë jemi aftësuar për zhvillimin e bujqësisë sipas standardeve evropiane”, ka thënë ministri Rikalo.
Ndërkaq, ambasadori i Italisë në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi, e ka vlerësuar projektin tejet të suksesshëm, pasi që sipas tij janë arritur rezultate të mira në sektorin e bujqësisë, në kuadër të implementimit të standardeve evropiane.
“‘KosAgri’ është një akronim i një projekti i cili ka për qëllim që të ndihmojë MBPZHR-në në implementimin e një numri të madh të iniciativave dhje aktiviteteve, të cilat kanë për qëllim lehtësimin dhe rregullimin e ligjeve për integrim në BE”, ka thënë ambasadori Sardi.
Në anën tjetër, Drejtori i Institutit Agronomik Mesdhetar në Bari të Italisë, Maurizio Raeli, ka thënë se ky projekt ka krijuar kushte më të mira për zhvillimin e bujqësisë, në veçanti asaj organike.
Ndryshe, në kuadër të projektit dyvjeçar “KosAgri”, janë investuar 2.2 milionë euro, ku përmes këtyre investimeve janë ngritur kapacitetet institucionale të MBPZHR-së, janë instaluar laboratorë për analiza bujqësore, janë ngritur 500 metra katrorë serra eksperimentale, si dhe janë ngritur 2 hektarë tokë punuese, si dhe janë realizuar vizita jashtë vendit, përmes të cilave është aftësuar stafi profesional i MBPZHR-së.