Projektet e përbashkëta bujqësore në Ballkan, sjellin fondet e BE-së
Prishtinë, 28 qershor - Shoqatat bujqësore të vendeve të rajonit, përmes projekteve të përbashkëta, po synojnë edhe përfitimin e fondeve të Bashkimit Evropian.
Për arritjen e këtij synimi në të ardhmen, Rrjeti i Shoqatave të Bujqësisë në Ballkan (BAAN), organizoi sot për herë të parë në Prishtinë, takimin e 7-të të sajin, i cili për fokus kishte edhe krijimin e mundësive të reja të bashkëpunimit ndërmjet tyre në fushën e bujqësisë.
Në mesin e pjesëmarrësve në këtë takim, ishte edhe përfaqësuesja e Serbisë, e cila tha se është shumë e interesuar të thellojë bashkëpunimin me shoqatat e Kosovës.
Për të intensifikuar bashkëpunimin e Kosovës me vendet e rajonit dhe ato të BE-së, si dhe për të absorbuar më shumë fonde nga donatorët, ministri i MBPZHR-së, Blerand Stavileci, njoftoi edhe për hapat që deri më tash ka ndërmarrë Ministria e Bujqësisë, duke treguar se kanë filluar të krijojnë edhe infrastrukturën e nevojshme ligjore dhe administrative, në përputhje me kërkesat e Bashkimit Evropian.
Ne kemi themeluar edhe strukturat e nevojshme për implementimin e programeve në sektorin agro-rural, si Njësinë e Pagesave, e cila me riorganizim tashmë po bëhet departament dhe së shpejti edhe Agjenci e Pagesave. Pastaj, Autoritetin Menaxhues, që menaxhon programin e masave, Komitetin Monitorues, i cili monitoron ecurinë e zbatimit të Planit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural dhe njësitë e tjera organizative, që janë të nevojshme për tju bashkëngjitur trendeve zhvillimore të vendeve rajonale dhe evropiane, tha Stavileci.
Për organizimin e fermerëve në shoqata dhe për krijimin e rrjetit për zhvillimin rural, ministri Stavileci tha se janë themeluar gjithsej 30 Grupe Lokale të Veprimit, ndërsa në bashkëpunim me IADK-në tani po e krijojnë edhe unionin e fermerëve në nivel kombëtar, ku si Ministri e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, kanë shprehur gatishmërinë që përfaqësuesit e këtij unioni në mënyrë aktive ti përfshijnë edhe në krijimin e politikave dhe krijimin e legjislacionit.
Me unifikimin e këtyre organizatave dhe krijimin e këtij unioni, besojmë fuqishëm që pozicioni i fermerëve do të avancohet edhe më shumë në shoqërinë tonë dhe neve si institucione, shoqatat e fermerëve do të na bëhen krah edhe më i fuqishëm i punës për ti shtyrë proceset bashkërisht përpara, tha ministri Stavileci.
Ndërsa, drejtori ekzekutiv i Iniciativës për Zhvillimin e Bujqësisë në Kosovë (IADK), Zenel Bunjaku, tregoi se përmes BAAN-it, të gjitha vendet e rajonit mund të këmbejnë përvoja dhe eksperienca në fushën e bujqësisë.
Ndërkaq, ekspertët e niveleve regjionale, sipas Bunjakut, mundësojnë edhe këmbimin e informatave për prodhimet që mund të plasohen në tregje, me të vetmin qëllim që fermerët të prodhojnë dhe të kenë mundësi më të mëdha për të eksportuar.
Krahas kësaj, Bunjaku vlerësoi se ky rrjet mund të jetë edhe udhërrëfyes për shoqatat në nivel kombëtar, pasi këto informata ndërlidhen edhe me standardet dhe kërkesat e BE-së.
Në anën tjetër, Maria Ognjenoviç, përfaqësuese e shoqatës Agromrezha nga Serbia, vlerësoi se ky takim mund të ndikojë edhe në thellimin e bashkëpunimit në mes Kosovës dhe Serbisë.
Ajo tha se kjo shoqatë ka bërë përpjekje që të gjejë edhe një shoqatë partnere nga Kosova, me të cilën pastaj së bashku do të aplikonin për grante në Bashkësinë Evropiane.
Gjatë përpjekjeve për të gjetur një shoqatë partnere në Kosovë, ajo pohoi se ka hasur edhe në vështirësi, të cilat sipas saj kanë qenë më tepër administrative.
Rrjeti i Shoqatave të Bujqësisë në Ballkan do të vazhdojë takimin edhe të premten dhe shoqatat e vendeve të rajonit, të cilat janë të pranishme në këtë konferencë, do të diskutojnë edhe nesër rreth krijimit të mundësive të reja të bashkëpunimit në fushën e bujqësisë.