Programi për Zhvillim Rural, mundësi për fermerët e Malishevës
Prishtinë, 9 shkurt - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi priti sot në një takim kryetarin e Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, me të cilin ka biseduar për Programin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural për vitin 2015 dhe për skemat e reja të mbështetjes, përmes të cilave ai tha se synojnë fuqizimin e mëtejmë të sektorit të bujqësisë.
Në këtë drejtim, ministri përmendi se këtë vit kanë paraparë zgjerim të mbështetjes edhe përmes pagesave direkte, të cilat sivjet për herë të parë do të ndahen edhe për pemëtari e për shumë sektor tjerë të bujqësisë.
Me këtë rast, ministri Krasniqi, e njoftoi kryetarin më hollësisht edhe për projektet zhvillimore të kësaj ministrie në kuadër të programit të këtij viti, në të cilat ai tha se mund do të gjejnë mbështetje edhe fermerët e komunës së Malishevës, të cilët janë të dalluar në shumë sektor të bujqësisë e blegtorisë.
Ai inkurajoi kryetarin që si komunë të angazhohen në informimin me të madh të fermerëve me mundësitë që kanë për mbështetje nga qeveria, por edhe në këshillimin e tyre për bujqësinë.
Nga ana e tij, kryetari i Malishevës, Ragip Begaj, e uroi ministrin për detyrën dhe e falënderoi për gatishmërinë për avancimin e mëtejmë të këtij sektori, i cili premton edhe zhvillim ekonomik të kësaj komune.
Ai e falënderoi ministrin për mbështetjen që MBPZHR-ja ka dhënë për komunën e Malishevës për luftimin e rriqrave në këtë komunë. Ministri Krasniqi tha se kjo mbështetje do të vazhdojë edhe këtë vit, në kuadër të masave që do ta përcaktojë Këshilli Ndërministror për parandalimin dhe luftimin e Etheve Hemorragjike Krime Kongo.
Kryetari Begaj po ashtu e njoftoi ministrin për sfidat dhe të arriturat e komunës në fushën e bujqësisë dhe shprehi përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit me MBPZHR-në, me qëllim të zhvillimit të projekteve të reja në këtë sektor.