Programi i sivjetmë për bujqësi siguron 3 mijë vende të reja pune
Prishtinë, 1 mars - Ministria e Bujqësisë, në programin për bujqësinë dhe zhvillimin rural të vitit 2016, përveç se ka rritur buxhetin për 3 milionë euro më shumë se vitin e kaluar, e ka zgjeruar edhe mbështetjen për shumë sektor të bujqësisë, si dhe ka krijuar disa ndryshime në program duke lehtësuar në shumë vende disa kritere për aplikim për fermerët.
Gjatë prezantimit të programit për bujqësi dhe zhvillim rural dhe programit për pagesa direkte para fermerëve, shoqatave të fermerëve, drejtorëve të drejtorive bujqësore dhe partnerëve tjerë në sektorin e bujqësisë, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, tha se përmes këtyre programeve, për të cilat sivjet janë planifikuar 46 milionë euro, synojnë të mbështesin mbi 400 ferma dhe agrobiznese, si dhe hapjen e rreth 3 mijë vendeve të reja të punës, duke ndikuar kështu në zhvillimin dhe fuqizimin e sektorit në mbarë vendin.
Viti i kaluar po jep rezultatet e veta si në hapjen apo qëndrueshmërinë e fermave të reja, ashtu edhe në hapjen e vendeve të punës, si dhe në rritjen e prodhimit. Po ashtu dua të theksoj se edhe programi i sivjetshëm është rezultat i bisedimeve, takimeve që kemi pasur me shumë prej jush, ku jemi përpjekur të përfshijmë shumë nga rekomandimet që kemi marrë në terren, ka thënë ministri Krasniqi.
Programi për bujqësi dhe zhvillim rural do të mbështetet me një buxhet prej 23 milionë euro, ndërsa programi për pagesa direkte po ashtu me një buxhet prej 23 milionë euro.\"
\"Në implementimin e këtyre programeve prioritet yni do të jetë transparenca. Gjithsesi ne besojmë se shpesh suksesi nuk qëndron sa shumë mjete kemi, por me sa efikasitet implementojmë politikat tona, tha ministri Krasniqi.
Gjatë prezantimit të programeve, ministri ka treguar se njëra ndër lehtësirat që kanë bërë këtë vit është edhe ndarja e aplikimit në dy periudha, njëra fazë e aplikimit për masën 101, masën 302 dhe masën e ujitjes që ka filluar më 25 shkurt e që zgjatë deri më 5 prill, ndërkaq faza tjetër e aplikimit për masën 103 ai tregoi se do të fillojë më 15 mars e do të zgjasë deri më 25 prill.
Po ashtu lehtësira janë bërë edhe në sektorin e mishit, qumështit, rrushit, bletarisë, por edhe sektorë të tjerë, të cilët do të mbështeten në kuadër të programit.
Në kuadër të Programit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, ai theksoi se do të vazhdojnë mbështetjen për Grupet Lokale të Veprimit, si dhe risi e këtij programi ai tha se do të jetë Masa e kompensimit të dëmeve, e cila sipas tij së shpejti do të hapet për aplikim gjatë gjithë vitit.
Ndërkaq, ministri tregoi se është finalizuar edhe Programi për Pagesa Direkte dhe shumë shpejt ai tha se do të hapin edhe periudhën për aplikim.
Ai tha se në këtë program do të ketë risi, pasi që do të mbështesin edhe shumë fusha të reja, të cilat nuk janë mbështetur deri më tani, ndër to ministri Krasniqi tha se është edhe sektori i bujqësisë organike dhe ai i akuakulturës.