22 Dhjetor 2024

Produktet pyjore jodrusore kanë kapacitet të madh eksportues

Prishtinë, 6 qershor - Kosova ka potencial të madh për eksportimin e produkteve pyjore jodrusore.

Llogaritet se në vendin tonë, ka një grup të madh të përpunuesve profesional dhe më përvojë në grumbullimin e këtyre produkteve.

Krahas kësaj, Kosova konsiderohet si një vend i pasur me diversitet të lartë biologjik dhe ekologjik dhe përbën mjedis të mirë për bioresurset.

Për zhvillimin e sektorit të produkteve malore dhe jodrusore në Kosovë është përgatitur edhe një strategji, e cila është prezantuar të mërkurën në tryezën e organizuar nga GIZ-i gjerman, në bashkëpunim me MBPZHR-në dhe MMPH-në.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci, ka treguar se pas një pauzimi disa vitësh, kjo veprimtari ka filluar përsëri të jetë atraktive dhe profitabile për shumë banorë të rreth tre mijë familjeve, sa vlerësohet që janë të përfshira tani në këtë veprimtari.

Ai ka bërë të ditur se viteve të fundit, sipas të dhënave statistikore dhe analizave sektoriale, Kosova arrin të eksportojë produkte jodrusore rreth pesë milionë euro në vit dhe importuesit kryesorë janë qenë shtetet si Gjermania, Austria dhe Italia.

“Bazuar në të gjithë treguesit e matshëm, ky nënsektor ka të gjithë përbërësit e nevojshëm për zhvillim të shpejtë, më shumë se secili sektorë tjetër i orientuar në eksport, sepse me përmbajtjen e tyre natyrale, produktet pyjore jodrusore të Kosovës janë në pozitë shumë më superiore sesa shumë shtete të tjera të rajonit dhe më gjerë”, ka thënë ministri Stavileci.

Ai tregoi se në kuadër të reformave që janë bërë gjatë viteve të kaluara është lëshuar edhe një Urdhëresë Administrative me të cilën janë obliguar formalisht institucionet relevante për grumbullimin e produkteve pyjore jodrusore nëpërmjet sistemit të licencimit.

“Sipas informacioneve që kam marr nga takimet e ndryshme më përpunues, më është thënë se në afat të shkurtër kjo urdhëresë ju ka tingëlluar edhe si kërcënim bizneseve që janë aktive në këtë fushë, por kjo është bërë një faktor i rëndësishëm që po ndikon në zhvillimin e strukturuar dhe të organizuar të këtij nënsektori, i cili ka arritur tani që të përpunojë dhe grumbullojë produkte të kualitetit të lartë”, tha ministri Stavileci.

Por, për të ofruar një produkt konkurrues në vendet e BE-së, sipas Stavilecit, nuk është e mjaftueshme që përpunuesit të kenë vetëm produkte të kualitetit të lartë, por edhe çertifikimin ndërkombëtarisht të njohur me HACCP, GAP apo çertifikim organik, sepse kjo sipas tij nuk është më vetëm një trend apo përparësi konkurruese, por një kërkesë fundamentale e klientëve në tregjet ndërkombëtare.

Në anën tjetër, edhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka treguar për përkujdesjen e saj për ruajtjen e zonave, në të cilat prodhohen këto produkte. Sekretari i kësaj ministrie, Arben Çitaku, tha se mbrojtja e biodiversitetit, sidomos e bimëve të rrezikuara është në interes të ruajtjes së trashëgimisë natyrore globale në përgjithësi dhe asaj kombëtare në veçanti.

Sipas tij, zonat më të rëndësishme për biodiversitetin në Kosovë janë, Malet e Sharrit, Bjeshkët e Nemuna, Koretniku dhe Pashtriku. “Ruajtja e natyrës brenda sistemit të zonave të mbrojtura, për ne si Ministri e Mjedisit vlerësohet si një instrument shumë i rëndësishëm në ruajtjen e biodiversitetit”, ka thënë Çitaku.

Ndërsa, Reinhard Trekle, udhëheqës i projektit “Zhvillimi Ekonomik dhe Rural” në GIZ-in gjerman, Kosovën e ka konsideruar si të bekuar për ruajtjen dhe kultivimin e bimëve pyjore, pasi që sipas tij, vendi është shumë i pasur me bimët pyjore dhe jodrusore.

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, të gjitha rekomandimet që do të dalin nga kjo tryezë e rrumbullakët do t’i përfshijë në planet e saj për këtë nënsektor.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)