Prodhuesit e verës të investojnë më shumë në cilësi
Prishtinë, 3 tetor - Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor i Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme diskutoi lidhur me akcizën mbi verërat.
Në këtë mbledhje ishte i pranishëm edhe ministri i Ministrisë së Financave, Bedri Hamza, i cili njoftoi anëtarët e Komisionit për qëndrimin e ministrisë lidhur me këtë çështje.
Ndërkaq, anëtarët e Komisionit nga ana e tyre folën për shqetësimet e prodhuesve të verës, pengesat gjatë procesit të prodhimit dhe plasimit të saj në treg.
Subvencionimin e prodhuesve të verës prej shtatë centëve për litër nga ana e Ministrisë së Bujqësisë, anëtarët e Komisionit e konsideruan të pamjaftueshëm.
Shqetësim të prodhuesve të verës, anëtarët e Komisionit paraqitën edhe akcizën, e cila i vendos në pozita të pabarabarta prodhuesit vendorë ndaj verës së importuar.
Lidhur me këtë, ministri Hamza fillimisht sqaroi se norma e akcizës nuk mund të rregullohet me ligj specifik.
Ai vijoi së sqaruari se Republika e Kosovës është nënshkruese e marrëveshjes së CEFT-as, andaj jemi të obliguar të zbatojmë atë.
Sipas kësaj marrëveshje, vazhdoi ministri Hamza, nuk është e mundur të heqim akcizën vetëm për një produkt ushqimor.
Andaj, vazhdoi ai, mënyra më e mirë është subvencionimi i prodhuesve me vlerë më të lartë se akciza të cilën aktualisht e paguajnë prodhuesit e verës. Insistimi ynë, tha më tej Hamza, duhet të jetë që prodhuesit vendorë ti ngritim në nivel të barabartë me prodhuesit tjerë.
Ndërkaq, lidhur me prodhimin dhe plasimin e verës në treg, ministri tha se prodhuesit duhet të investojnë shumë më shumë në cilësi dhe marketing.
Në fund të debatit, anëtarët e Komisionit kërkuan nga ministri Hamza që qëndrimin e Ministrisë së Financave lidhur me këtë çështje, ta paraqesë edhe në mbledhjen e Kuvendit.
Në këtë mbledhje, Komisioni miratoi në parim edhe Projektligjin për shërbime këshilluese për bujqësi dhe zhvillim rural, ndërkaq formoi grupin punues për Projektligjin për Agjencinë e Kosovës për mbrojtje nga rrezatimi dhe siguria bërthamore.