Prodhuesit e qumështit i reagojnë MBPZHR për shkak të mospërfilljes së kërkesave
Prishtinë, 23 shtator - Shoqata e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës ka reaguar ndaj Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) për shkak të mospërfilljes së kërkesave të tyre.
Përmes një komunikate, Shoqata e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës (ShPQK), thekson se në vazhdimësi që nga pjesëmarrja në grupet punuese rreth hartimit të kritereve për aplikim, ka shprehur indinjatën dhe pakënaqësinë e saj rreth kritereve të caktuara për aplikim, në pagesa direkte dhe cilësi të qumështit nga ana e ministrisë së bujqësisë, por edhe për subvencionet dhe përkrahjet e tjera të nevojshme shtesë të fermerëve si pasojë e rrethanave të krijuara!
“Fatkeqësisht, asnjë kërkesë deri më tani e jona, si para ashtu edhe pas publikimit të kritereve për aplikim dhe afatit të shkurtër nuk është marrë parasysh”, thekson ShPQK.
Sipas tyre ,në takimin fundit të mbajtur me zv.ministrin z. Imri Demelezi dhe zyrtarin e AZhB-së, z. Imer Limani, ditë më parë ka njoftuar ministrinë për irritimin dhe pakënaqësitë e mëdha të krijuara te fermerët dhe ka bërë kërkesën e radhës për heqjen e kritereve të panevojshëm dhe të pa implementueshëm dhe t’ju japin mundësi fermerëve aplikim normal dhe që fermerët të ju kthehen punëve të tyre të përditshme e sidomos tani përgatitjeve dhe mbjelljeve vjeshtore, përndryshe ju kemi bërë me dije se do të ballafaqoheni edhe me protesta të fermerëve.
“Shoqata e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës, në tërësi përkrahim shprehjen e pakënaqësisë së fermerëve edhe përmes protestave të sotme edhe pse jo formë e dëshiruar e jona, por siç po shihet mundësia e vetme dhe e fundit. Gjithashtu, njoftojmë se ne nuk do të tërhiqemi nga kërkesat e arsyeshme tona dhe nëse nuk kemi përgjigje pozitive këto protesta vetëm se do të intensifikohen. Shpresojmë në mirëkuptim dhe reflektim serioz nga ministria e bujqësisë dhe realizim të kërkesave të arsyeshme të fermerëve prodhues”, thekson në fund ShPQK.