Prodhuesit e Kosovës eksportojnë edhe në shtetet e BE-së
Prishtinë, 20 shkurt - Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor i Kuvendit të Kosovës, në një mbledhje të përbashkët me ministrin e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe të Zhvillimit Rural (MBPZHR), Blerand Stavileci, diskutuan lidhur me Raportin e ELUP-it, (Projekti për mbështetje e përdorim të tokës), sipas të cilit toka bujqësore në Kosovë është e kontaminuar.
Anëtarët e Komisionit, duke shfaqur shqetësimin e tyre lidhur përmbajtjen e këtij Raporti, kërkuan nga ministri që me një studim shkencorë të demantohet Raporti, i cili u ka sjellë dhe vazhdon tu sjellë shumë dëme fermerëve dhe prodhuesve vendorë.
Kryetari i Komisionit Nait Hasani, duke vënë në pah pasaktësinë e Raportit, solli të dhënat e siguruar nga prodhuesit, fakte këto që përmbanin vulën doganore nga Pika Kufitare e Vërmicës dhe Instituti i Analizave të Malit të Zi.
Sipas këtyre raporteve, të gjeturat minerare në produkte është 0.01%, ndërsa norma e lejuar është 0.10 % për plumbin dhe metalet e tjera.
Sipas këtij Raporti, vijoi Hasani, niveli i ndotjes është dhjetë herë më i ulët se sa normat e lejuara, fakte këto të paraqitura krejtësisht ndryshe në Raportin e bërë publik nga ELUP-i.
Qëndrim kritik ndaj Raportit të ELUP-it paraqiti edhe ministri Srtavileci. Rezultatet dhe konkludimet nuk përkojnë me njërin tjetrin, tha ai, dhe vazhdoi se është me rëndësi që të sigurohen analiza të sakta shkencore lidhur me këtë çështje. Ministri foli edhe për dëmet që ka sjellë Raporti, veçanërisht prodhuesve dhe fermerëve.
Ky Raport tha ai, u ka sjellë dëme potenciale prodhuesve tanë, në kohën kur të gjitha kulturat bujqësore kanë rritur nivelin e prodhimtarisë.
Se toka është e ndotur në disa zona nën ndikimin minerarë është e kuptueshme, vijoi ministri, dhe me këtë rast përmendi tokat bujqësore rreth kombinatit metalurgjik Trepça, Feronikelin dhe Shar Cemin.
Ndërkaq, duke folur për cilësinë dhe sigurinë e konsumimit të prodhimeve tona, ministri e ilustroi me faktin se prodhuesit tanë eksportojnë edhe në shtetet e BE-së, ku kontrolli i cilësisë për produkte ushqimore është shumë rigoroz.
Në këtë mbledhje Komisioni shqyrtoi dhe miratoi disa amendamente të Projektligjit për mbeturina.