Prodhuesit dhe perpunuesit e qumështit kërkojnë mbështetjen e Komunës
Gjilan, 21 maj - Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur sot në takim pune përfaqësues të Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit të Kosvës, të cilët i kanë kërkuar mbështetje të prodhuesve të kësaj lëmie.
Haziri tha me këtë rast se prodhuesit e qumështit janë promotor i zhvillimit të bujqësisë në Gjilan.
“Janë këta prodhues që e stimulojnë blegtorinë dhe janë pikërisht këta që sjellin produkte të begatshme në sofrën tonë. Komuna e Gjilanit apelon te qytetarët që të ushqehen me prodhime tona sepse ato përpos që janë të shëndetshme dhe të kontrolluara vazhdimisht, ndikojnë edhe në përmirësimin ekonomik të këtyre prodhuesve në këtë fazë të vështirë të përballjes me pandeminë. Këta prodhues janë familjarët tanë kudo që jetojnë, në Gjilan, Kamenicë, Rahovec, Mitrovicë apo gjetiu, prandaj sofra jonë duhet të ketë prodhimet e tyre”, ka thënë kryetari i Komunës, Lutfi Haziri në fjalën e tij.
Ndërsam kryetari i shoqatës së përpunuesve të qumshtit në nivel të Kosovës, Gani Durmishaj, ka thënë se janë në Gjilan për të kërkuar mbështetjen e kryetarit Haziri, i cili ka ndikimin e tij përtej kësaj komune.
“Jemi ardhur këtu që të kërkojmë mbështetje dhe ndihmën e kryetarit Haziri, që me apelin e tij të ndikoj në konsumin më të madh të prodhimeve të qumshtit."
"Ajo që kemi parë në Gjilan është mbështetja që kryetari po u jep fermerëve dhe përpunuesve dhe kjo na ka shty që të jemi këtu për të apeluar në konsumim të produkteve vendore, sepse është mbështetje dhe apel për zhvillimin e ekonomik e veçanërisht për zhvillimin e prodhimit në bujqësi. Produktet janë të garantuara në cilësi, kualitet dhe sasi”, ka thënë ndër të tjerash Durmishaj.
Nga ana e tij Milazim Berisha, kryetar i shoqatës së prodhuesve të qumshtit në nivel të Kosovës, ka thënë se para kryetarit Haziri i kanë shprehur shqetësimet që kanë fermerët në gjithë Kosovën në këtë periudhë të vështirë ekonomike të përballjes me pandeminë Covid-19 dhe ka kërkuar nga ai të përdorë ndikimin e tij për të nxitur sa më shumë konsumin vendor.
Në emër të fabrikës Kabi, ka folur Nehat Bixhaku, i cili ka falënderuar dy shoqatat dhe kryetarin Haziri për mbështetjen që janë duke i dhënë prodhuesve dhe përpunuesve të qumshtit e përmes tyre edhe të gjithë blegtorëve në nivelin regjional dhe më gjerë.