Prodhimtaria e patates është identitet i komunës së Vushtrrisë
Prishtinë, 28 tetor - Në organizim të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, komunës së Vushtrrisë dhe kompanisë Pestova, sot në fshatin Pestovë të komunës së Vushtrrisë u mbajt manifestimi tradicional Dita e patates.
Ministri i MBPZHR-së, Blerand Stavileci, tha se prodhimtaria e patates është identitet i komunës së Vushtrrisë dhe se mbështetja për fermerë gjatë vitit të ardhshëm dukshëm do të jetë më e madhe.
Sot ne kemi miratuar buxhetin për vitin e ardhshëm dhe buxheti për bujqësinë do të jetë i dyfishuar. Po ashtu, këto ditë isha në një vizitë të gjatë në SHBA, ku autoriteteve amerikane ua kemi prezantuar planet tona për të ardhmen, në mesin e tyre ka qenë edhe projekti për përkrahjen e kredive bujqësore dhe ne tashmë e kemi sinjalin e gjelbërt për të nisur një projekt të tillë, nga i cili do të përfitojnë fermerët e vendit tonë, duke mbuluar një pjesë të riskut dhe duke ndikuar në zvogëlimin e kamatave për kreditë bujqësore, tha ministri Stavileci.
E ministrja e MTI-së, Mimoza Kusari-Lila, tha se vendi ku jemi nuk është krenari vetëm për komunën e Vushtrrisë, por edhe për gjithë Kosovën. Janë iniciativat sikurse të zotëri Kasumit dhe të këtij rajoni në kultivimin e patates, që i japin kuptim politikave qeveritare.
Në të gjitha përpjekjet tona për të lehtësuar prodhimin, ne e shohim suksesin në këto iniciativa, prandaj jemi të kënaqur që hap pas hapi ekonomia e Kosovës po konsolidohet dhe prodhimi po vjen në vendin ku e meriton tha ministrja Kusari-Lila.
Ndërsa, Bedri Kasumi, pronar i kompanisë Pestova tha se dita e patates është ditë simbolike e punës sonë njëvjeçare në prodhimtarinë e patates dhe ky rast është një mundësi e mirë për ti treguar sukseset, sfidat dhe mundësitë.
Si rezultat i investimeve të donatorëve dhe dinamizimit të aktiviteteve institucionale, ne tani kemi fermerë shumë më të suksesshëm dhe agrobiznese shumë më konkurruese, tha Kasumi, i cili inauguroj edhe objektin e ri për ruajtjen e patates Agrico Kosova, i cili ishte investim i kompanisë Agrico dhe shtetit të Holandës.
Ambasadori i Mbretërisë së Holandës, Robert Bosch, i pranishëm në këtë manifestim tha se Holanda është duke i mbështetur gjashtë projekte të partneritetit këtu në Kosovë. Prej gjashtë projekteve që jemi duke i mbështetur, dy janë në industrinë e hekurit apo çelikut, kurse tjerat janë në bujqësi dhe në blegtori, potencoi ai.
Konsumi vjetor për kokë banori me patate vlerësohet të jetë rreth 40 kg në vit dhe bazuar në sipërfaqet e mbjella që sillen deri në 8 mijë hektarë dhe rendimentin e arritur prej 30-40 tonë për hektarë në sipërfaqet që janë nën ujitje, Kosova ka kapacitete të mjaftueshme edhe për të eksportuar.