Prodhimtaria e mishit, sfidë e blegtorisë kosovare
Prishtinë, 18 shtator - Industrisë prodhuese të mishit në Kosovë, po i mungon promovimi i teknologjive për majmëri dhe specializimi i fermerëve në këtë fushë.
Këto vlerësohen të jenë problemet kryesore me të cilat përballen prodhuesit e mishit, të cilët nuk po arrijnë që ti përmbushin më shumë se 51 për qind të nevojave konsumuese me mish në vendin tonë dhe kjo po ndikon që pjesa tjetër e mishit dhe produkteve të tij të mbulohet nga importi.
Ministria e Bujqësisë, përmes subvencioneve për gjedhet dhe kafshët e imëta dhe përmes investimeve në fermat blegtorale, në mënyrë indirekte ka arritur të jap mbështetje për zhvillimin e kësaj industrie, e cila viteve të ardhshme planifikohet të përkrahet edhe në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Sipas të dhënave të kësaj ministrie, del se brenda vitit një banor i Kosovës, konsumon mesatarisht 44-46 kilogramë mish, ndërsa gjedhi sipas këtyre të dhënave, del të jetë bartës i prodhimtarisë së mishit në vend dhe produktet e tij vazhdojnë të mbesin më të kërkuarat në tregun kosovarë.
Shefi i sektorit për mbrojtjen e prodhimeve blegtorale në Ministrinë e Bujqësisë, Arsim Memaj, ka deklaruar se duke e mbështetur sektorin e qumështit, kanë arritur të mbështetin edhe industrinë e mishit në vend, duke dhënë subvencione për gjedhe dhe duke bërë investime në fermat blegtorale.
Sektori i gjedhëve dhe ripërtypësve të imët deri më tani është mbështetur përmes masave 2 dhe 4 sipas strategjisë për zhvillim rural dhe të bujqësisë, ku për mbështetjen e investimeve në fermë janë dhënë grante në vlerë prej 1.8 milionë euro, ndërsa subvencionet për njësi krerësh arrijnë vlerën mbi 7.2 milionë euro.
E gjithë kjo mbështetje edhe pse jo në mënyrë direkte, ka ndikuar në zhvillimin e industrisë së mishit, thotë Memaj. E pavarësisht kësaj, ai tregon se industria e mishit vazhdon të përballet me probleme, të cilat pengojnë edhe zhvillimin e hovshëm të kësaj industrie, e cila llogaritet të jetë një ndër sektorët më fitimprurës në bujqësi.
Prodhimtaria e mishit vazhdon të mbetet në varshmërinë e sektorëve tjerë, gjë që kërkon investime në promovimin e teknologjive për majmëri dhe specializimin e fermave. Ndërsa, investimet e industrisë së therjes dhe asaj përpunuese duhet të orientohen në modernizimin e teknologjive dhe në implementimin e sistemeve të sigurisë, thotë Memaj.
Kurse kryetari i Shoqatës së Prodhuesve dhe Përpunuesve të Mishit, Burim Piraj, ka deklaruar se investimet dhe subvencionet e dhëna për fermerët kosovarë, kanë ndikuar që industria e mishit të ketë rritje, por sipas tij, kjo rritje po vazhdon me ritme shumë të ngadalshme. E moszhvillimi i këtij sektori, sipas tij, po ndikon që tregu kosovarë të jetë i varur nga produktet e importit, ku sipas Pirajt, Kosova me mish nuk i plotëson nevojat konsumuese më shumë se 30 për qind.
Një ndër problemet kryesore me të cilën ballafaqohet ky sektor janë politikat e pafavorshme fiskale dhe mungesa e fermave të mëdha blegtorale. Për këtë arsye në këtë sektor duhet të krijohen oferta për investitorët e huaj, në mënyrë që të vijnë dhe të hapin ferma më të mëdha, përmes të cilave do të arrihej edhe plotësimi i nevojave të tregut me mish dhe nënprodukte të tij, thotë kryetari Piraj.
Në Kosovë, sipas të dhënave nga popullacioni i gjedhit në vit theren 105-120 mijë krerë, prej të cilave 80 85 për qind janë viça dhe kategori tjera dhe 12 - 15 për qind janë lopë të shkarkuara nga prodhimtaria e qumështit.
Bazuar në konsumimin total të mishit, të dhënat tregojnë se mishi i shpezëve është kategori kryesore me rreth 47 për qind, i përcjellur me mish viçi rreth 46 për qind, mish derri 5 për qind dhe mish të dhenve rreth 1 për qind të konsumimit të përgjithshëm të mishit. Ndërkaq, industria prodhuese dhe përpunuese e mishit në vendin tonë numëron 30 përpunues të mishit dhe 37 thertore për therjen e kafshëve.